Kur udhëheqësi bjellorus Alexander Lukashenko përdori të gjithë forcën e qeverisë së tij për të shuar demonstratat masive në vitin 2020, Maria Kalesnikava u bë një simbol i këtyre protestave. E rrëmbyer nga oficerë të maskuar, aktivistja e opozitës u fut në një furgon, u dërgua në kufirin me Ukrainën dhe më pas  u kërcënua me dëbim.

Ajo e grisi pasaportën e saj në copa të vogla për të penguar përpjekjet për dëbim. Më vonë,  u dënua me 11 vite pas disa akuzave përfshirë ato për konspiracion për marrjen e pushtetit.

Katër vjet pas arrestimit të saj 42 vjeçarja po mbahet në një qeli të vogël burgu, thotë motra e saj Tatsiana Khomich, bazuar në informacionin që ajo ka mbledhur nga burime, duke përfshirë ish të burgosur.

Pesha e saj ka rënë në vetëm 45 kg pasi për shkak të sëmundjes së ulçerës nuk mund të konsumojë shumicën e ushqimeve të burgut. “Unë besoj se ky është një moment kritik sepse askush nuk mund të mbijetojë për një kohë të gjatë në kushte të tilla,” thotë motra e lideres së opozitës për agjencinë e lajmeve  “Reuters” në një intervistë nga jashtë Bjellorusisë.

Ajo u lejua për herë të fundit t’i shkruante familjes së saj në shkurt të vitit të kaluar.

E pyetur nëse Kalesnikava do të ishte e gatshme të kërkonte falje nga Lukashenko, siç është dashur të bënin të burgosurit e liruar deri më tani, ajo u përgjigj se nuk ishte e sigurt: “Unë shpresoj që nëse asaj do t’i jepet një mundësi e tillë, ajo do ta përdorë atë .”

Motra e  liderit të opozitës thotë se ajo nuk sheh ndonjë fund të regjimit të Lukashenkos, por Perëndimi sipas saj duhet t’i bëjë presion presidentit bjellorus që të lirojë të burgosurit politikë.

Klan News