Vazhdon përplasja ushtarake mes Armenisë dhe Azerbajxhanit

Luftimet mes armenëve dhe ushtrisë azerbajxhanase në rajonin e Nagorno Karabakut vijuan edhe këtë të hënë. Bilanci i luftimeve të hyra në ditën e dytë ka arritur në 39, mes të cilëve pjesa më e madhe prej 32 të vdekurish janë nga radhët e separatistëve armenë që kanë nën kontroll rajonin.

Presidenti azer Ilham Alijev aktivizoi pjesërisht ligjin ushtarak vetëm për zonat e konfliktit dhe ato që i rrethojnë. Këtë të hënë njoftoi edhe nisjen e kundërofensivës ndaj militantëve armenë dhe trupave ushtarake të Armenisë që janë vënë në mbështetje të tyre.

Konflikti ka shqetësuar komunitetin ndërkombëtar, pasi paraqet rrezik për rajonin ku kalojnë tubacionet e gazit nga Azerbajxhani drejt Europës, mes të cilave edhe ato të gazsjellësit TAP.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan u pozicionua menjëherë në mbështetje të azerëve, duke thënë se Turqia dhe Azerbajxhani janë një komb në dy shtete. Ai akuzoi Armeninë për agresion të vazhdueshëm dhe treshen e Minskut, siç njihet ndryshe pala negociatore në konfliktin shekullor, ku bëjnë pjesë Rusia, SHBA e Franca se kanë treguar standarde të dyfishta.

Rusia, aleate e Armenisë në këtë konflikt, ashtu si Bashkimi Europian kërkuan armëpushim urgjent.

Rajoni i Nagorno Karabagut, pas rënies së Bashkimit Sovjetik ka qenë pjesë territoriale e Azerbajxhanit, por është nën kontrollin e një qeverie autonome armene që përbëjnë shumicën e popullsisë. Nga konfliktet e vazhdueshme që kanë shkaktuar mijëra të vrarë që prej viteve ’90 është përfshirë edhe ushtria e Armenisë që ka marrë kontrollin e edhe të disa fshatrave me popullsi armene që e rrethojnë rajonin.

Tv Klan