Mbi 100 plumba nga 3 armë, dy të plagosurit: Nuk i pamë kur na qëlluan

Të rinjtë në fshatin Grudë u qëlluan nga tre persona ndërsa një i katërt i priste në makinë. Policia gjeti rreth 100 gëzhoja plumbash kallshanikov në vendngjarje. 28-vjeçari Gjergj Ndërshtiqaj dhe kunati i tij morën nga një plumb në bark, ndërsa ka shpëtuar pa u lënduar personi i tretë që ishte me ta.

Ndërshtiqaj është punonjës policie dhe aktualisht vijon studimet në akademinë e sigurisë. Ai ka pasur armën e shërbimit, por nuk i është kundërpërgjigjur autorëve.

Para një viti ka punuar në Dukagjin, ku policia ka zhvilluar disa operacione të suksesshme kundër mbjelljes së kanabisit dhe pikërisht dyshimet e para janë se 28-vjeçari ishte objektiv i atentatit.

Policia ka shoqëruar rreth 20 persona, por ata janë lënë të lirë pas marrjes në pyetje.

Dy të plagosurit kanë dëshmuar nga spitali se nuk kanë konflikte, ndërsa nuk kanë mundur t’i shohin autorët për shkak të errësirës.

Dëshmia e të plagosurve: Sapo zbritëm nga makina dëgjuam të shtëna armësh. Nuk kemi arritur që të shohim se kush ishin ata që na qëlluan. Nuk kemi konflikte dhe nuk e dimë arsyen përse na qëlluan. Në momentin kur nisën të shtënat kemi dalë nga makina me shpejtësi dhe qendruam pas saj.

Autorët dyshohet se kanë qenë të maskuar. Dhe pamjet e kamerave të sigurisë nuk kanë ndihmuar hetuesit për identifikimin e tyre. 

30 minuta pas ngjarjes, autorët dogjën mjetin Renault brenda të cilit u gjetën dhe armët kallashnikov, dy ndodheshin në sedilje, ndërsa arma e tretë në bagazh. Ato u dërguan ne policinë e Shkodrës për ekspertim më të specializuar. Për shkak të breshërisë së plumbave, mori flakë dhe makinave e të rinjve.

Klan News