Ekspertiza paraprake ka konfirmuar dyshimet e policisë së Tiranës, për shkakun e vdekjes së dy vajzave nga Ukraina, që u gjetën pa shenja jete të premten në një banesë në Tiranë. Rezulton se Antonina Kozachenko dhe Anastasia Lopukhova ndërruan jetë pasi konsumuan doza të larta të ilaçeve “Xanax” dhe “Tramadol”, dhe medikamente të tjera me përmbajtje lëndësh narkotike.

Për të hedhur dritë për vdekjen dhe aktivitetin që kryenin në Shqipëri, Policia ka rimarrë në pyetje shoqen e tyre, Yeva Vorona e cila ishte bashkë me to natën e fundit. Ajo pranoi para grupit hetimor se kanë konsumuar së bashku me dy viktimat ilaçet, por edhe alkool për disa orë.

Vajza nga Ukraina i tha hetuesve se të treja ofronin shërbime seksuale kundrejt pagesës në Malin e Zi. Referuar sistemit TIMS rezulton se Vorona ka udhëtuar disa herë drejt shtetit fqinj, në harkun e 4 muajve të fundit.

Nisur nga aktiviteti që kryenin në Mal të Zi, policia ka dyshime të forta që edhe në vendin tonë ofronin shërbime seksuale kundrejt pagesës. Për këtë arsye, telefonat e tyre janë dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore për të zbërthyer komunikimet e fundit të tyre. Kjo për të zbuluar nëse ishin pjesë e ndonjë rrjeti prostitucioni. Sipas dëshmisë së Yeva Vorona, Antonina Kozachenko ka pasur probleme me zemrën ndërsa Anastasia Lopukhova vuante nga epilepsia. Ato u gjetën pa shenja jete në banesën që e kishin marrë me qira në zonën e Selvisë në kryeqytet. Ndaj tyre më herët policia i ka proceduar në gjendje të lirë pasi dhunuan një punonjëse farmacie, e cila nuk pranoi t’u jepte ilaçe pa recetë.

Klan News