Qytetarët miratojnë përgjigjen ndaj pandemisë së koronavirusit

60 për qind të amerikanëve mbështesin punën e bërë deri më tani nga presidenti Joe Biden dhe veçanërisht trajtimin e pandemisë së koronavirusit. Mbështetja e publikut u konstatua pas një sondazhi të ri të kryer nga agjencia AssociatedPress dhe Qendra për Kërkime të Çështjeve Publike.

Në një moment polarizimi të thellë politik në SHBA, mbështetja për presidentin Biden shtrihet përtej linjave partiake.

Në tërësi, 70 për qind e amerikanëve mbështesin mënyrën se si presidenti po lufton pandeminë, duke përfshirë këtu edhe 44 për qind të republikanëve.

Megjithatë, Biden përballet ende me shumë skepticizëm nga amerikanët për ekonominë, e cila është goditur rëndë nga pandemia.

55 për qind e qytetarëve mbështesin qasjen e presidentit Biden ndaj ekonomisë deri më tani, dhe 63 për qind thonë se ekonomia e SHBA-së është në gjendje të dobët, sipas sondazhit të AP-së.

Republikanët mbështesin më pak Bidenin për punën e tij për ringritjen e ekonomisë, ku vetëm 17 për qind janë pro administrimit të tij fiskal.

Kjo mbështetje për punën e presidentit vjen pas publikimit të të dhënave të fundit për punësimin. Sipas Departamentit të Punës, gjatë muajit Shkurt u krijuan rreth 380 mijë vende të reja pune, kryesisht në sektorin e hotelerisë dhe argëtimit.

Ekonomistët, besojnë se tregu i punës do të marrë vrull në pranverë dhe gjatë verës. Tani administrata pret miratimin nga Senati të planit të rimëkëmbjes prej 1.9 trilionë dollarë.

Klan News