90 përqind e territorit të vendit është nën rrezikun e zjarreve.

Njolla e kuqe në këtë hartë tregon përmasat e kërcënimit nga flakët dhe temperaturat e larta. Këto pamje i përkasin operacionit nga ajri në Qafën e Llogarasë.

Për shkak të terrenit të vështirë, dy helikopterë nga Greqia kanë operuar nga ajri në një operacion që koordinohet në kohë reale me sallën e Emergjencave Civile.

Edhe në fshatin Sllatinë të Dibrës, një sipërfaqe e madhe pylli me pisha u përfshi nga flakët. Në ndihmë të zjarrfikësve dhe forcave të Ushtrisë ka ardhur ky helikopter.

Një zjarr i madh rrezikoi edhe Manastirin e Ardenicës në Fier, por pas katër orësh, flakët u neutralizuan.

Vatra zjarri u shënuan edhe në Tiranë, në Malin e Dajtit, Shëngjergj, Ndroq, Lezhë, Durrës, Elbasan, Gjirokastër  dhe Korcë. Që prej nisjes së verës, në të gjithë vendin janë djegur mbi 200 ha pyje dhe rreth 300 ha shkurre dhe kullota.

Pavarësisht ndërhyrjes së Ushtrisë, problematike mbetet mungesa e shërbimit zjarrfikës në 23 bashki, nga 61 që ka i gjithë vendi.

Autoritetet thonë se në 90 përqind të rasteve, zjarrëveniet janë të qëllimshme, ndërsa temperaturat e larta kanë favorizuar riaktivizimin e disa prej vatrave të zjarrit.

Tv Klan