Edhe këtë rradhë shtypi nuk ka gabuar në zgjedhjen e emrit të kryeministrit të ri të Shqipërisë. Kandidaturën e Ilir Metës për Kryeministër, kryesia e Partisë Socialiste e ka përzgjedhur pas mbi 200 minutash mbledhje me dyer të mbyllura. Kandidatura e Metës për Kryeministër do t’i propozohet në emër të kryesisë socialiste KPD socialist nesër paradite.

Argumentimin e kandidaturës së Metës për Kryeministër e ka paraqitur para gazetarëve Kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano.

Arritëm të konvergojmë në konkluzionin se kandidatura më e mirë që siguron respektimin e vlerave të qeverisjes socialiste, që siguron integrimin e arritjeve të dy qeverive socialiste në kabinetin e ri. Që sjell më shumë qetësi, besim dhe garanci. Që sjell faktorë të mëtejshëm që forcojnë koalicionin qeverisës aktual dhe që do ti ndihmojnë gjithashtu në përmirësimin të mëtejshëm të marrëdhënieve dhe klimës politike në Shqipëri edhe në raportet e qeverisë me Opozitën, kandidaturë që do ti propozohet me këto parametra të Komitetit Drejtues të Partisë Socialiste ku për të vendosur do të jetë kandidatura e zëvëndëskryeministrit aktual Iir Meta.”

Nano nuk ka përmendur emrat e kandidaturave të tjera që kanë qarkulluar në diskutimet e kryesisë socialiste. Sipas burimeve brenda mbledhjes kanë kandiduar për Kryeministër figura të njohura të kampit socialist si Spartak Poçi, Bashkim Fino, Makbule Çeço, Arben Malaj, kandidatura që sipas Nanos janë tërhequr vetë për t’i hapur rrugë Metës.

Përveç kandidaturës kryesore të Metës në mbledhjen e nesërme të KPD-së mund të propozohen edhe kandidatura të tjera për Kryeministër dhe votimi do të sjellë rezultatin e pritur. Ndërkohë mbi të ardhmen politike të ish kryeministrit Pandeli Majko kryesocialisti Fatos Nano u shpreh:

Siç e patë është shoku ynë Pandeli Majko, për asnjë çast nuk e ka lënë karrigen e vet bosh dhe ai shprehu në vëmendjen e të gjithë anëtarëve të kryesisë angazhimin për të pranuar çdo përgjegjësi dhe detyrë që do ti kërkojë partia të vazhdojë të bëjë në të ardhmen. “/tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame