Në programin Kombinat Show u diskutua mbi besimin dhe harmoninë fetare në Shqipëri.

Sipas shkrimtarit, hulumtuesit dhe publicistit Aurel Plasari arsyet e ndërrimit të fesë janë universale, pasi varen nga zgjedhja personale dhe rrethanat gjeopolitike.

Këto janë arsye universale sepse individë me ndërrim feje nuk ka vetëm në Shqipëri, por ka në mbarë Ballkanin, Europën dhe përtej saj. Ta shikojmë si një fenomen, dukuri jo thjesht shqiptare sepse kjo na çliron nga shumë komplekse. E drejta e ndërrimit të fesë është një nga të drejtat më themelore të njeriut sot dhe një nga gurët e themelit të lirive të ndërgjegjes. Sot Europa lufton me institucione, ligje dhe parime për të mbrojtur të drejtën e përqafimit të një feje, të drejtën e ndërrimit të një feje, të drejtën e lëshimit të një feje, të drejtën e mospranimit të asnjë feje. Të gjitha janë opsione të lira që shoqëritë duhet t’i mbrojnë dhe t’i nxisin”. 

Dom Lush Gjergji po ashtu theksoi se çdo person duhet të ketë të drejtën të jetë vetvetja dhe t’ua mundësojë dhe të tjerëve këtë gjë, pasi feja është është një orientim i botëkuptimit të njeriut.

“Ne jemi dyfish vëllezër, edhe si shqiptarë edhe si fetarë, prandaj kjo duhet të jetë ajo që duhet të na begatojë, pasurojë dhe të na afrojë kah Zotit sepse do të ndikojë edhe në afrimin kah njeriut”.

Sa u takon emigrantëve shqiptarë që ndryshojnë fenë në Greqi, Roland Sejko, botues librash në Shqipëri, si dhe i të vetmes gazete në gjuhën shqipe në Itali “Bota shqiptare”, tha: “Mendoj se është më tepër i detyruar. Askush nuk na pengon që të besojmë se ndoshta zbulojnë dhe fenë ortodokse, por në të njëtën kohë, duke ditur që qeveria greke shumë shpesh ka ndërmarrë politika diskriminuese për ata që nuk ndryshojnë emrin. Shqiptarët ndoshta janë treguar në shumë raste më të zellshëm seç duhet dhe kanë kaluar dhe në ndërrimin e fesë. Unë nuk e shoh si fenomen shqetësues për emigracionin në përgjithësi, them se ky ndërrim i fesë ekziston edhe në Shqipëri”.

Ndërsa drejtuesja e lëvizjeve për të drejtat e njeriut dhe publicistja, Elsa Ballauri kujtoi se ne e kemi përjetuar vetë shkeljen e kësaj të drejte gjatë komunizmit, edhe pse nuk konsistonte në ndërrimin e fesë, por në heqjen e saj.

“Unë mendoj që është shkelje e të drejtave të njeriut nëse je i detyruar të ndërrosh fenë. Në rastin kur detyrohet një grup njerëzish apo qoftë një individ i vetëm të ndërrojë fenë për arsye të caktuara politike ose nëse përndryshe do të ndëshkohet, sigurisht që ëshët shkelje. Është shkelje përsa kohë nuk është bërë me dëshirën dhe vullnetin e vetë individit”.

E pyetur nëse religjioni është çështje individuale apo komuniteti, drejtuesja e sektorit të grave në komunitetin mysliman të Tiranës, Iris Maçi u shpreh: “Feja është një çështje personale, por komuniteti mysliman dhe vendi që unë përfaqësoj aty ka të drejtën të përkrahë dhe të përshendesë të gjithë ata që përqafojnë fenë islame dhe hyjnë në komunitetin mysliman”.

Për gazetarin dhe novelistin Agim Baçi, si besimtar mysliman, e rëndësishme është që çdokush të dijë se përse beson.  “Një nga rregullat e njeriut që beson është që të përmirësojë vazhdimisht vetveten dhe të kuptojë, sepse pa kuptuar atë që bën vetë, nuk mund të bëhet kurrsesi i dobishëm as për të tjerët.  Unë jam praktikant, por nuk mendoj se jam i përsosur dhe përsosmëria nuk i takon njeriut”.

Këngëtarja dhe showgirl Çiljeta Xhilaga rrëfeu se besimi në Zot ka bërë që të arrijë suksesin. “Unë besoj dhe besimi më ka bërë që të arrij këtu ku jam sonte. Madje para se të hyja në emision po i thoja zonjës që nuk putha Kuranin e vogël që mbaj në çantë, që të më shkonte mbarë. Unë nga babai jam myslimane, ndërsa nga mami jam ortodokse. E rëndësishme është që çdo njeri të besojë dhe unë besoj në Allah”./tvklan.al