Alberto Maritati, ish shefi i antimafias italiane dhe ish zëvendësministër i Brendshëm, ka ardhur sot për herë të gjashtë në Shqipëri. Por, kësaj here Maritati ka vetëm mandatin e senatorit të rajonit të Leces në Parlamentin Italian. Si gjithmonë takimin e parë Maritati e bëri me Kryeprokurorin Rakipi. Ai përsësiti kërkesën e investitorëve italianë në Shqipëri për rend dhe siguri. Rakipi u tha miqve se policia shqiptare me një mungesë të theksuar mjetesh dhe lëvizshmëri logjistike e ka të vështirë t’a përballojë e vetme krimin tashmë të organizuar.

Senatori Maritati më pas para gazetarëve tha se shpreson tek njerëz si Rakipi kundër krimit dhe trafiqeve dhe vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet ajo çfarë duan shqiptarët, por dhe italianët që kanë kapitalin e tyre këtu, sigurinë për jetën, por dhe investimet e tyre. Më pas Maritati premtoi një ndihmë më të madhe. Takimet zyrtare Maritati i zhvilloi me Presidentin Mejdani. Prania e tij sot në Tiranë është një shenjë tjetër e Italisë për bashkëpunimin më tej me Shqipërinë në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe drogës./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj