Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Pas deklaratës së kryeministrit Lupço Gjeorgjevski, për të shpallur gjendjen e luftës, udhëheqësit maqedonas u mblodhën për të diskutuar gjendjen në vend. Aktualisht qeveria maqedonase, gjendet përballë një kryengritje të madhe të luftëtarëve shqiptarë të UÇK të Maqedonisë. Trupat maqedonase kanë dështuar gjatë ofensivës së tyre, për të zhvendosur luftëtarët shqiptarë nga pozicionet e tyre në fshatrat në verilindje të Maqedonisë.

Tanket maqedonase kanë qëlluar duke i vënë zjarrin disa shtëpive në fshatrat Vaksinc dhe Spullçan. Luftëtarët shqiptarë, i janë përgjigjur zjarrit me mitraloz, por trupat maqedonase nuk kanë mundur të hyjnë në këto fshatra. Betejat e zhvilluara kanë ringjallur frikën e zgjerimit të konfliktit. Ndërkaq kryeministri Gjeorgjevski ka përsëritur se gjendja është e eksportuar nga Kosova.

Në këto kushte bisedimet shërbejnë si e vetmja alternativë ndaj një lufte civile. Për këtë arsye, presidenti Boris Trajkovski, ka pasur takime me udhëheqës të të gjitha partive politike parlamentare, ku ishte rënë dakord për pikat kryesore që duhen diskutuar./tvklan.al