Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka paralajmëruar kryeministrin maqedonas, Nikolla Gruevski se nëse nuk do të përfshijë në koalicionin e ri qeveritar partitë shqiptare, vendi do të futet në një krizë të thellë politike.

Në një intervistë të dhënë për të përditshmen greke “Ta Nea”, Ahmeti ka deklaruar se një qeveri që nuk merr parasysh vullnetin e shumicës së shqiptarëve nuk mund të mbijetojë gjatë dhe as të funksionojë.

Sipas tij marrëveshja për koalicionin e ri qeveritar do t’u shërbejë jo vetëm shqiptarëve, por të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

Deklarata e tij është kundërpërgjigje e kryeministrit Gruevski, i cili të premten kërcënoi shqiptarët se nuk do t’i bënte pjesë të qeverisë, nëse të dielën do të vëreheshin parregullsi ne votime.

Një ditë para ripërtëritjes së zgjedhjeve në disa zona udhëheqësi i BDI-së është shprehur më optimist lidhur me mbarëvajtjen e procesit elektoral të së dielës pas reagimeve të komunitetit ndërkombëtar.

Të dielën mbi 26 mijë votues do t’u drejtohen kutive të votimit në Maqedoni për të zgjedhur partinë dhe kandidatin e preferuar.

Procesi i ripërtëritjes së zgjedhjeve do të zhvillohet në 187 qendra, në zonat me shumicë shqiptare./tvklan.al