Massimiliano Allegri mund të marrë drejtimin e Manchetser United në verën e ardhshme. Lajmin e bëjnë të ditur mediat angleze, sipas të cilave Allegri ka nisur tashmë leksionet në gjuhen angleze për të qenë gati për një aventurë në ishull.

Trajneri i Juventusit shihet si një kandidat potencial për të zëvendësuar Ole Gunar Solskjaer në fundin e sezonit. Pavarësisht dëshirës së tij, aventura e norvegjezit në “Old Traford” duket se nuk do zgjasë më shumë se 6 muaj.

Sipas asaj që raporton “The Times” puna që 51-vjeçari ka bërë nën drejtimin e Juventusit ka bindur drejtuesit e United për të marrë në konsideratë emrin e tij.

Ai ka fituar katër herë rresht kampionatin me ‘Zonjën e Vjetër’ si dhe ka marrë pjesë në dy finale të Ligës së Kampionëve. Në vitin 2015 dhe 2017 të dyja të humbura.

Allegri është nën kontratë me bardhezinjtë deri në vitin 2020, por dëshira e tij për të drejtuar në Premier League është e madhe dhe kjo mund të jetë vendimtare për të ardhmen e tij. Favoriti kryesor për të marrë drejtimin e ‘Djajve të Kuq’ ishte  trajneri i Totenham Mauricio Pocetino, por drejtuesit e klubit po shqyrtojnë të gjitha mundësitë ku përveç Allegrit përflitet edhe emri i Diego Simeones që aktualisht drejton Atletico Madridin.

Klan Plus