“Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e ka dënuar thellimin e bashkëpunimit ushtarak mes Koresë së Veriut dhe Rusisë, përfshirë transferimin e armëve në kundërshtim me rezoluta të shumta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së,” tha Departamenti i Shtetit.

“Gjatë një bisede me ministrin e Jashtëm të Koresë së Jugut, Cho Tae-yul, kryediplomati amerikan gjithashtu ritheksoi rëndësinë jetike të aleancës së ‘hekurt’ mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut për ‘promovimin e paqes’, sigurisë dhe prosperitetit në gjithë botën”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, në një komunikatë.

Blinken falënderoi ministrin e Koresë së Jugut  për mbështetjen e vazhdueshme të vendit të tij për Ukrainën.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, e nënshkruan këtë javë një marrëveshje për mbrojtjen gjatë vizitës së liderit rus në Penian.

Është e paqartë se çfarë lloj marrëveshjeje e ndihmës është arritur. Por, ajo është përshkruar si “bashkëpunim gjithëpërfshirës strategjik”.

Duke folur pas ceremonisë së nënshkrimit, Kim tha se marrëveshja është traktati më i fuqishëm i nënshkruar ndonjëherë mes dy shteteve, që sjellë raportet në nivel të aleancës, që do të mundësojë po ashtu bashkëpunimin në shumë fusha, përfshirë atë politike, ekonomike, kulturore dhe ushtarake.

Sipas medias shtetërore ruse Putin ka thënë se çështjet e sigurisë dhe ato ndërkombëtare ishin në fokus të takimit me liderin e Koresë së Veriut.

Zyrtarët e SHBA-së dhe Koresë së Jugut e kanë akuzuar Veriun se po i ofron Rusisë artileri, raketa dhe pajisje të tjera ushtarake që Moska t’i përdorë në Ukrainë, në këmbim të ofrimit të teknologjisë ushtarake.

Si Peniani, ashtu edhe Moska kanë mohuar akuzat. Shkëmbime të tilla të armëve do të përbënin shkelje të sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilat më herët Rusia i ka mbështetur./REL