Publikohen pamjet e momenteve të fundosjes së jahtit superluksoz të hënën në brigjet e Siçilisë, ku ndodheshin bosi britanik i teknologjisë së lartë Mike Lynch dhe ai i bankës ndërkombëtare Morgan Stanley, Jonathan Bloomer. Mister mbetet fakti se si një vorbull e thjeshtë ajri fundosi një prej jahteve më të sigurt dhe më të shtrenjtë të botës, për pak sekonda.

Ky filmim i kamerave të sigurisë tregon momentin e fundosjes së jahtit luksoz Bayesian në 04:00 të mëngjesit të së Hënës pranë brigjeve të Palermos. Siç duket edhe nga pamjet, goditja nga një minitornado e përmbys dhe e fundos brenda pak sekondazh jahtin me 22 persona në bord.

Zhytësit nxorën këtë të mërkurë trupat e 4 viktimave të tjera dhe lokalizuan trupin e një të 5-ti brenda mbetjeve të jahtit të fundosur 50 metra nën ujë. Ekspertët do të bëjnë identifikimin e tyre. Arrin kështu në 6 numri i viktimave të konfirmuara, 1 mbetet ende i zhdukur, ndërsa 15 të tjerë janë shpëtuar.

Mes viktimave përllogaritet edhe pronari i jahtit, Mike Lynch, një prej sipërmarrësve më të mëdhenj britanikë në fushën e teknologjisë së lartë, vajza e tij 18-vjeçare, Jonathan Bloomer, presidenti i bankës së madhe ndërkombëtare Morgan Stanley, si dhe bashkëshortja e tij.

Së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, ata festonin lirimin nga akuzat të Mike Lynch në Shtetet e Bashkuara, ku ai iu nënshtrua një procesi të gjatë gjyqësor për mashtrime dhe manovra me kompanitë e tij.

Ajo që ekspertët ende nuk mund t’i japin përgjigje është se si një vorbull e vetme ajri, fundosi një prej jahteve më luksozë dhe më të sigurt të botës, vlera e të cilit arrin mbi 35 milionë euro, ndërkohë që një tjetër jaht luksoz ngjitur me të, nuk pati as dëmtimin më të lehtë.

Tv Klan