Ish-kryeprokurorit i sekuestrohet edhe pasuria

Gjykata e Apelit të Posaçëm la në fuqi këtë të mërkurë dënimin me 2 vite burg për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. Vendimi në fjalë përfshin po ashtu edhe 5 vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike dhe konfiskim të pasurisë.

Ish-kryeprokurori Llalla mungoi gjatë dhënies së vendimit, por avokati i tij Sokol Hazizaj e cilësoi atë si të padrejtë dhe paralajmëroi se do ta çojë atë deri në Gjykatën e Lartë.

“Jemi me gjykim të padrejtë. Unë jam avokati i tij dhe jam këtu, para jush. Gjykata, edhe e Shkallës së Parë, edhe e Apelit, ka bërë copy-paste të gjitha veprimet procedurale, asgjë tjetër. Do t’i ndjekim të gjitha hallkat, deri në Gjykatën e Lartë”.

Për mungesën e ish-kryeprokurorit Llalla ne gjykatë, avokati tha se është për arsye shëndetësore.  

“Di që Llalla është në spital, kaq di”.

Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 Mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. 

Nëse nuk paraqitet pas lënies në fuqi të vendimit, ndaj ish-kryeprokurorit mund të shpallet mandat-arresti e urdhër-kërkimi ndërkombëtar. 

Tv Klan