Moska dhe Kievi po përballen me vështirësi për gjetjen e një armëpushimi 30 ditor me të dyja palët të cilat po vazhdojnë të sulmojnë njëra-tjetrën me drone dhe raketa.

Negociatorët e Shteteve të Bashkuara zhvilluan bisedime me përfaqësues nga Rusia për t’i shtyrë ata drejt një armëpushimi të pjesshëm, me qëllim ndaljen e luftës në Ukrainë e cila po zgjat prej gati tre vitesh.

Megjithatë, të dyja vendet nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të arritur këtë armëpushim, i cili u arrit parimisht javën e kaluar. Përkundrazi, ato kanë vijuar që të sulmojnë njëra-tjetrën me drone dhe raketa, edhe pse në mes qëndron kjo marrëveshje.

Të hënën në mbrëmje, zyrtarë ukrainas thanë se shumë fëmijë ishin në mesin e viktimave që shkaktoi një sulm raketor rus, i cili la të plagosur 88 persona në qytetin ukrainas Sumy.

Lidhur me këtë ngjarje të fundit, një reagim pati dhe nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili shprehet se gjëra të tilla janë të zakonshme.

“Çdo ditë është kështu, përballemi me netë me raketa ruse dhe dronë kundër vendit tonë. Çdo ditë luftë përkthehet në humbje, dhimbje dhe shkatërrim, diçka që Ukraina se ka dashur kurrë”, shtoi Zelensky.

Ndërsa përpjekjet për të gjetur një kompromis që mund t’i kënaqte të dyja palët për të mos vazhduar më tej me këtë luftë, Kievi kërkon garanci për mbrojtjen e infrastrukturës, si hekurudhat dhe portet, të cilat po sulmohen vazhdimisht nga Rusia.

Dhe duket se Zelensky s’ka ndërmend të bëj hapa prapa për të pranuar këtë armëpushim, pa u siguruar më parë për ruajtjen e kësaj infrastrukture.

/tvklan.al