Mijëra maturantë ikin çdo vit nga Shqipëria për të vijuar studimet jashtë vendit, ndërsa numri i atyre që kthehen është shumë i vogël. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Arsimit, studentët që njësojnë diplomat e huaja ka ardhur në rënie. Në vitin 2013 rezultojnë 1 688 diploma të konvertuara, në 2014, 976 të tilla, ndërsa në 2016 janë 784.  Viti 2017 ka pasur një rritje të lehtë, pasi janë njësuar diplomat e 951 të rinjve që kanë përfunduar studimet e larta jashtë vendit. Ndërkohë që viti 2018 ka rënien më të madhe, pasi vetëm 670 të rinj që kanë studiuar jashtë kanë njësuar diplomat në ministri, ose  60% më pak se në 2013.

Sipas ekspertit të arsimit, Albano Zhapaj kjo “arratisje” e të rinjve është kthyer në një formë të re emigrimi.

“Formë e re emigracioni për të rinjtë. Familjet e kanë kuptuar që më mirë paguajnë për të bërë studimet jashtë se sa të emigrojnë pas studimeve që ka bërë këtu. Pasi ka më shumë kosto…”

Nga data 1 deri më 3 Korrik, pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore janë bërë 750 legalizime të diplomave të shkollës së mesme nga maturantë që duan të ikin për studime në vende të ndryshme të Europës. Ndërsa për 2018 janë bërë 15 mijë legalizime. Kjo sipas ekspertit është një ‘kambanë alarmi’. Ndërkohë që nga ana e qeverisë nuk po merret asnjë masë për të nxitur rikthimin e tyre sërish në vend.

Një tjetër shkaktar që ai shikon është edhe situata në universitetet publike.

Klan Plus