Klubi ka frikë se mos sulmuesi 24-vjeçar ikën si lojtar i lirë, për të u paguan 145 milionë euro

Barcelona është e shqetësuar për Ousman Dembelen. Drejtuesit katalanas kanë caktuar një takim me agjentin e futbollistit, ku do të flasin për të ardhmen.

Drejtuesit e Barçës duan që të firmosin një kontratë të re, por bisedimet sipas “Mundo Deportivo”-s, janë ndalur pasi ekziston frika se francezi ka firmosur një para-kontratë me një tjetër klub.

Barça shpenzoi për kartonin e lojtarit 145 milionë euro dhe nëse ai do të largohej si lojtar i lirë, kjo do të ishte një humbje e madhe.

Klubi katalanas është në telashe pasi e ka kaluar me 40% limitin që La Liga i ka vendosur sa i përket shpenzimeve për rrogat e futbollistëve.

Por Barça beson te Dembele dhe shpreson që bashkëpunimi mes të dyja palëve të vazhdojë.

Lojtari 24 vjeçar është duke u rekuperuar pas një dëmtimi që mori në gju në kampionatin evropian, në takimin Francë-Hungari dhe do të qëndrojë jashtë fushës deri në muajin Tetor.

Klubi katalanas kishte menduar që ta largonte këtë Verë sulmuesin që përfiton 250 mijë euro në javë, por dëmtimi prishi planet.

Tani rinovimi është e vetmja zgjidhje, për të mos lejuar që Barça të dalë me humbje nga ikja e Dembelesë si futbollist i lirë.

Klan News