Lirimi i stadiumit, ndihma humanitare dhe donacione. Bota e sportit është bërë “njësh” në luftën ndaj Covid-19, duke shfrytëzuar mënyra nga më të ndryshmet për t’i ardhur në ndihmë stafit mjekësor që ndodhet në vijën e parë për përballimin e pandemisë. Skuadra më aktive në këto momente është Barcelona.

Kampionët në fuqi të La Ligës kanë vendosur që përpos uljes me 70% të pagave të lojtarëve të ndihmojnë me para cash për të financuar projektet kërkimore dhe luftën në të gjithë botën kundër pandemisë.

Në një njoftim në faqen zyrtare, klubi i Barcelonës zbulon se ka rënë dakord për të shitur emrin e stadiumit për sezonin e ardhshëm, me të ardhurat që do të shkojnë të gjitha si donacion për këtë iniciativë.

“Të ardhurat do të përdoren për të financuar projektet kërkimore dhe luftën në të gjithë botën kundër pandemisë. Barcelona dhe fondacioni Barça e konsiderojnë si të domosdoshme që në këtë kohë të krizës humanitare, institucioni të përdorë të gjitha burimet e tij për të luftuar kundër pandemisë dhe pasojave të saj”, thuhet në njoftimin e klubit.

Mbetet për t’u zbuluar shifra që Barcelona do të përfitojë nga shitja e emrit të stadiumit “Camp Nou” që për herë të parë që prej inagurimit të tij do të mbajë një tjetër emër. Shtëpia e Barcelonës u hap në vitin 1957 dhe Fondacioni Barça ka detyrën e vështirë tashmë, që të gjejë sponsor të ri për blerjen e emrit të stadiumit në sezonin 2020-2021.

Barcelona nuk kishte sponsorizues të fanellave deri në vitin 2010 kur ata nënshkruan një marrëveshje me Fondacionin Katar, megjithëse fondacioni Bamirës Unicef ​​ishte shfaqur në fanellat e tyre që nga viti 2006.

Klan Plus