“Qeveria braktisi fermerët, lekët në duart e 5 oligarkëve”

Nga tregu agro-ushqimor i Rrogozhinës ku u takua me fermerë të zonës, kreu i PD Lulzim Basha akuzoi qeverinë se ka braktisur qytetarët, duke i lënë pa ndihmë ekonomike në kohë pandemie.

“Askush nuk ka parë asnjë ndihmë me sy, as ndihmë financiare, as ndihmë ushqimore, gjendja e fermerëve është e rënduar. Propaganda me regji qendrore tregon një pamje të gënjeshtërt, totalisht pa lidhje me realitetin”.

Fermerët iu ankuan për rënie të konsumit, groposje të prodhimeve bujqësore dhe mungesë mbështetje me subvencione.

“Kjo është një gjendje katastrofale. Bujqësia shqiptare ka shtatë vjet në krizë të thellë, por këtë vit me mungesën totale të subvencioneve, me mungesën totale të çdo lloj interesimi dhe paketë mbështetje situata ka kaluar atë që mund të përshkruhet si kritike”.

Paratë e taksapaguesve, sipas kryedemokratit, nuk shkojnë për infrastrukturë dhe kanalizime në zonat rurale, por në xhepat e klientëve të Kryeministrit.

“Vetëm tek Teatri Kombëtar duan të harxhojnë 30 milionë Euro taksave tuaja me të cilat mund të kishim mbyllur komplet kanalizimet e fshatrave të Shqipërisë. Mbështetën 5 oligarkë, e gjithë Shqipëria punon për 5 oligarkë. Kjo situatë do të marrë fund dhe duhet të marrë fund një orë e më parë”.

Pas fermerëve të Rrogozhinës, Basha u takua edhe me punonjës të një fasonerie në Krujë.

Tv Klan