Kryeministria: RMV, Kosova dhe Mali i Zi nuk ka siguruar vaksinën

Ndryshe nga Kryeministri Rama që e cilësoi arritje sigurimin e 500 mijë dozave të para të vaksinës anti-covid nga kompania Pfizer, Lulzim Basha foli për dështim. Përmes një reagimi, kreu I opozitës e akuzoi kundërshtarin e tij politik se e ka lënë vendin të fundit në rajon sa i përket sigurimit të vaksinës.

“Si përherë Rama përpiqet t’i shesë dështimet si suksese. Shqipëria është vendi që jep ndihmën më të vogël ekonomike për qytetarët e saj. Rama premton të sjellë shumë pak vaksina, dhe shumë vonë krahasuar me vendet e tjera. Serbia ka nisur ndërkohë vaksinimin, ndërsa Rama shkoi në Nju Jork për të blerë këpucë të reja! Ky i dështuar duhet të largohet nga qeverisja, që Shqipëria të ndryshojë e të shpresojë sërish”.

Kjo deklaratë e kryedemokratit ka sjellë reagimin e mënjëhershëm të Drejtorit për Komunikimin dhe Mediat në Kryeministri, i cili ka mohuar nisjen e vaksinimit të popullsisë nga vendet e rajonit.

“Zoti Lulzim kur ti fle Edi Rama vazhdon punon, kurse ti edhe kur punon fle! Maqedonia e Veriut, Mali Zi, Kosova s’kanë siguruar ende asgje, ndërsa Serbia e nisi me vetëm 5 mijë doza! Fli zoti Lulzim dhe mos bëj politikë me shëndetin e me vaksinën në gjumë! Shqipëria buzëqesh”.

Por Lulzim Basha reagoi sërish duke thënë se vaksina më e mirë për Shqipërinë është largimi i Edi Ramës, të cilin e akuzoi për keqqeverisje dhe mosmbajtje të premtimeve.

“Edhe me vaksinat e njëjta histori si me dështimet e Ramës këto 7 vjet. Premtoi 300 mijë vende pune dhe shtoi papunësinë dhe varfërinë, rriti koston e jetës dhe shkatërroi ekonominë. Vaksina më e mirë për Shqipërinë është largimi i Ramës. Vetëm kjo do na lëvizë nga dështimet drejt suksesit, nga dëshpërimi drejt shpresës”.

Kreu i opozitës ka deklaruar më herët se edhe ai po bën përpjekjet e tij që në Shqiperi të vijnë vaksinat anti-covid. 

Tv Klan