Komisioneri Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi ka përgëzuar Shqipërinë për përmbushjen e të gjitha kritereve për Konferencen e Parë Ndërqeveritare.

Mes të tjerash ai theksoi në takimin e 11-të Këshillit të Stabilizim-Asociimit në Bruksel midis Shqipërisë dhe BE, se Shqipëria po jep rezultate dhe po mban premtimet që ka bërë, duke e konsideruar këtë si diçka shumë të rëndësishme.

“Unë dëshiroj që t’ju përgëzoj dhe të plotësoj disa gjëra nga ato që tashmë janë thënë. Dëshiroj gjithashtu të tërheq vëmendjen për faktin që Shqipëria është ai vend i cili jo vetëm që ka vuajtur për pandeminë, por para pandemisë iu desh që të përballej me një tërmet të fortë. Kështu që sfidat janë të jashtëzakonshme në Shqipëri dhe ndoshta janë shumë në numër se sa gjetkë në rajon.

Megjithatë po vazhdojmë të shikojmë që Shqipëria po jep rezultate dhe po mban premtimet që ka bërë dhe po përmbush kriteret që duheshin përmbushur për Konferencën e Parë Ndërqeveritare.

Kjo është një gjë shumë e rëndësishme, dhe duhet ta themi këtë që të jepet një sinjal shumë i qartë që jo vetëm Shqipëria ka mundr ta bëjë këtë gjë, por edhe ka dhënë rezultate qoftë për mbështetjen e së drejtës apo në fusha të tjera. Pra ta përçojmë këtë mesazh për sundimin e ligjit dhe Reformën në Drejtësi.

Dua të përsëris edhe atë që është thënë në këtë vlerësim të përbashkët për procesin e Vettingut meqenëse po ecën fuqishëm. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë kemi arritur aty ku duhet.

Nga ana jonë vlerësimi që ne po u japim shteteve tona anëtare të BE-së është që gjithçka është përmbushur tashmë për Konferencen e Parë Ndërqeveritare, pra të gjitha kriteret”, u shpreh Varhelyi.

Klan News