Basha: Fatura e ndryshimit të Kushtetutës do të jetë e rëndë

Klima e ndezur politike e ka detyruar Presidentin Meta që të thërrasë në një takim, kryetarin e opozitës, Lulzim Basha.

Kreu i shtetit kërkoi nga Lulzim Basha që t’i qëndrojë marrëveshjes së 5 Qershorit dhe të jetë e vetëpërmbajtur përballë asaj që e cilësoi përpjekje kriminale, por të pashpresë, për të cënuar Kushtetutën.

Do të kërkoja nga ju që të qëndroni me besnikëri marrëveshjes së firmosur,  me përfaqësuesit e mazhorancës dhe të ruani qetësinë në këto momente, kur ka kundërshtime me këtë marrëveshje të firmosur. Ka përpjekje për të cënuar rëndë Kushtetutën e vendit, në mënyrë kriminale, shumë të qartë, por njëkohësisht edhe për të shkatërruar çdo lloj legjitimiteti”.

Presidenti tha se kurrë më parë s’ishte mohuar kaq shpejt një marrëveshje dhe kërkoi braktisjen e menjëhershme të çdo përpjekjeje që minon procesin e integrimit.

“Të mos bëjmë aventura me kushtetutën. Kurrë nuk ka ndodhur që të tentohet, të mohohet kaq shpejt dhe pa u tharë boja një marrëveshje e firmosur”.

Ashtu si Presidenti, edhe Basha bëri një paralajmërim për Kryeministrin Rama për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëqoftëse këto ndryshime ndodhin, do bëhemi vendi i dytë në botë dhe i pari në Europë. I dyti pas Rusisë, ku Kushtetuta ndryshohet në kohë pandemie, jo për interesat e qytetarëve, por për interesat e pushtetarëve. Natyrisht për Partinë Demokratike dhe për opozitën e bashkuar, kjo është e paparanueshme. Në këtë kuadër do të bëjmë gjithçka që faturën, e cila do të jetë shumë e rëndë, mos e paguajë Shqipëria dhe shqiptarët, por ta paguajnë ata që janë përgjegjësit e kësaj situate”.

Për kreun e demokratëve ndryshimet kushtetuese prishën marrëveshjen e dakorduar nga partnerët ndërkombëtarë.

“Duke u fshehur pas të ashtuquajturës opozitë parlamentare dhe së fundmi duke dalë hapur, kryeministri ka vendosur të hedhë në kosh këtë marrëveshje dhe të ndryshojë në mënyrë të njëanshme Kushtetutën. Pra rrezikojmë një izolim të dytë të Shqipërisë”.

Si Basha ashtu edhe Presidenti Meta kërkuan braktisjen e menjëhershme të çdo përpjekjeje që minon procesin e integrimit dhe që do të prapësonte për herë të parë në historinë e Shqipërisë një marrëveshje të dakordësuar me ndërmjetësimin më të lartë ndërkombëtar.

Tv Klan