Ndihmë financiare për mjekët, pajisje dhe autoambulanca

Numri i pacientëve që do të kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të Covid do të vijë në rritje. Është ky projeksioni i BB në dokumentin e miratuar ku i ofrohet Shqipërisë 15 milionë euro ndihmë financiare, për të përballuar situatën e krijuar nga COVID-19. Sipas këtij dokumenti numri i pacientëve që kërkojnë kujdes mjekësor për COVID-19, në një moment, mund të tejkalojë kapacitetin aktual të sistemit shëndetësor shqiptar.

“Edhe pse Shqipëria ka përmbajtur me sukses COVID-19 deri në tani, ka paqartësi në lidhje me evolucionin e pandemisë në vend. Derisa të kemi një vaksinë efektive në dispozicion, virologët dhe epidemiologët po paralajmërojnë se vendi mund të  ketë prej 25-80 përqind nivele të infeksionit të popullsisë”.

Sipas projeksionit të Bankës Botërore një prej skenarëve të mundshëm që mund të përballet Shqipëria është ai i 8,650 raste me Covid, një normë incidence prej 300 për 100,000 banorë, e ngjashme me Italinë dhe Spanjën. Kjo do të kërkojë më shumë burime të kujdesit shëndetësor sesa janë aktualisht në dispozicion në Shqipëri. Këto vlerësime kanë orientuar investimet në pajisje, rinovimin e atyre ekzistuese dhe punonjës të përkohshëm të kujdesit shëndetësor thuhet në dokument.

Ndihma e BB rekomandon rekrutim mjekësh të rinj si dhe logjistikë për spitalet dhe laboratorët në vend. Numri i shtretërve të disponueshëm për njësinë e kujdesit intensiv në Spitalin e Sëmundjeve Infektive që është aktualisht 18, parashikohet që të shkojë në 58. 32 automabulanca do i shtohen Tiranës dhe spitaleve rajonale. Po ashtu do të trajnohen edhe 80 specialistë për laboratorët ne vend dhe ato të spitaleve.

Për sa i takon numrit të stafit vullnetar shëndetësor, që aktualisht është zero, me projektin parashikohet të jetë 300 i mbuluar me pagë për një afat 3-mujor. Ndërsa numri i stafit mjekësor në laboratorët e shëndetit publik, të trajnuar për ndjekjen epidemiologjike në terren, do të jetë 100.

Tv Klan