Pushuesit e vizitojnë edhe për të konsumuar specien me emrin gaforrja blu

Në bregdetin e Adriatikut, është një zonë e cila njihet me emrin parajsa e shtegut të pirgut. Është një pjesë e lagunës së Karavastasë e cila të mahnit me numrin e madh të shpendëve që mund të shohësh.

Për turistët janë ndërtuar kulla të larta, nga ku mund të vështrojnë pelikanët, flamingot, rosat apo  çafkat. Është një spektakël natyror për çdo vizitor që këtë fund javë ka zgjedhur të pushojë në Bedat të Divjakës.

Kjo zonë njihet për numrin e madh të species me emrin gaforrja blu. Ajo gjendet me shumicë si në det ashtu edhe në restorante. Është ushqimi më i preferuar sidomos për vendasit të cilët ua njohin shumë mirë edhe vlerat ushqimore.

Kjo zonë i tërheq vizitorët me natyrën e virgjër, pastërtinë e bregdetit, qetësinë dhe bukurinë. Kohët e fundit Bedatit ka nisur të rezervohet edhe nga të huajt të cilët më parë nuk e njihnin këtë plazh. Operatorët turistikë kanë marrë të gjitha masat duke ndërtuar infrastrukturën e duhur.  Në restorante gatuhet vetëm peshk i egër si dhe perime të tokave pranë bregdetit.

Hapësira e bregdetit prej 2 km nuk ka ndotje ndërsa preferohet gjithnjë e më shumë nga pushuesit vendas për shkak edhe të kostove të ulta.

Klan News