Miqësorja e fundit e Belgjikës para finaleve të Botërorit përfundoi me goleadë. Përfaqësuesja belge triumfoi me rezultatin 4 – 1 ndaj Kosta Rikës të hënën në Bruksel. Miqtë shënuan të parët me kapitenin Brian Ruiz, një gol të papritur pasi deri në ato çaste ishin vendasit që po rrezikonin.

Megjithatë barazimi nuk vonoi me golin e Mertens. Para se të përfundonte pjesa e parë, Lukaku përmbysi rezultatin. Pas pushimit ishte sërish sulmuesi i Manchester United, i cili realizoi përsëri duke kaluar lehtësisht mbrojtjen e Kosta Rikës.

Golin e fundit për Belgjikën e shënoi Batshuayi, i cili hyri në fushë si zëvendësues i Mertens. Në këtë takim me nota pozitive, shqetësimi i vetëm ishte zëvendësimi i Hazard pas një përplasje me kundërshtarin.

Përfaqësuesja belge në 3 ndeshje të luajtura fitoi 2 dhe barazoi me Portugalinë pa gola. Belgjika e nis Botërorin me Panamanë më 18 Qershor, ndërsa Kosta Rika me Serbinë më 17 Qershor.

Tv Klan