Shtëpia më e madhe e librit në Shqipëri, Biblioteka Kombëtare, nga 2018 e në vazhdim do të hyjë në një proces delikat të transformimit të saj. Fillimi i rikonstruksionit, ku është prezantuar edhe një projekt-ide, do të prihet nga një fazë e gjatë teknike evakuuese. Hapi i parë është ndërmarrë.

Hapësira ku do të vendoset përkohësisht i gjithë fondi i Bibliotekës Kombëtare do të jetë Batalioni i Mbështetjes, ish-Reparti Ushtarak, te “Rrapi i Treshit”. Në një intervistë për Televizionin Klan, drejtorja Persida Asllani, thotë se puna ka nisur.

Për shkak të specifikave që mbart zhvendosja, ajo do të jetë e ngadalshme dhe mund të ndikojë edhe në funksionimin e Bibliotekës Kombëtare.

Për të ruajtur ekuilibrat me kërkesat e publikut dhe kërkuesin shkencor për Persida Asllanin, ndërtimi i Bibliotekës së Tiranës është një nevojë që nuk pret.

Vendimi i marrë pas rënies së zjarrit për të hequr shërbimin e huazimit të librave do të mbetet në fuqi.

Paralelisht me planin e zhvendosjes, digjitalizimi i gjithë fondit kushtuar figurës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, me librat më hershëm që nga ai i Papa Piu II do të jetë një nga kontributet për vitin kushtuar heroit tonë kombëtar.

Intervista e plotë me drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani:

2018 është vit i rëndësishëm edhe në aktivitetet që do të zhvillohen në nder të figurës së heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. Çfarë keni menduar?

Një nga gjërat më të rëndësishme është digjitalizimi i të gjithë fondit kushtuar figurës së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Është një fond relativisht i pasur dhe me libra nga më të hershmit. Libri i parë madje është ai i Papa Piu II, për të vijuar me Marin Barletin, pra një thesar librash, antikuarësh, materialesh arkivore. Do të jenë online në faqen e Bibliotekës Kombëtare dhe çdokush mund të shfletojë materiale në lidhje me Skënderbeun. Do të ketë edhe një ekspozitë që do ti kushtohet Skënderbeut në letërsi, pra si një figurë që vjen përmes letërsisë shqiptare dhe asaj botërore. Për fëmijët kemi menduar një klub special leximi i cili një herë në javë do ti kushtohet literaturës për fëmijë mbi Skënderbeun dhe secili prej tyre do të ftohet të ndërtojë në formatin 3D atë fragment të librit që i ka lënë më shumë mbresa.

Për tu kthyer te funksionimi i institucionit. Pas rënies së zjarrit në muajin Mars, Biblioteka Kombëtare,  morri një vendim, sipas të cilit përkohësisht lexuesit nuk mund të huazonin libra. Do të vazhdojë të qëndrojë në fuqi ky vendim?

Përdorimi apo shfrytëzimi i Bibliotekës Kombëtare, atë që ne e quajmë pjesa publike është pezulluar. Dhe kjo do të vazhdojë të mbetet e tillë, për fat të keq, pasi asgjë nuk ka arritur të ndryshojë në lidhje me krizën e hapësirave. Është një problem që nuk mund të zgjidhet në pak muaj. Është një problem i futur në një perspektivë të gjerë dhe afatgjatë. Deri atëherë, detyra që i kemi vënë vetes është mbrojtja fizike e fondit, në kushte relativisht sa më mbrojtëse sepse sa më të mira nuk mund ta them dot. Sigurisht jemi treguar të ndjeshëm kur një qytetar ka patur një nevojë të bazuar në një kërkim specifik siç do të ishte një fletore zyrtare që mban një informacion shumë të rëndësishëm për jetën e tij, për pronën apo karrierën dhe që e ka të pamundur ta gjejë jashtë ambienteve të Bibliotekës Kombëtare.

A duhet Biblioteka Kombëtare të zhvishet nga ky shërbim, nga huazimi i librave?

Është bërë krejtësisht e padiskutueshme nevoja për tu shkëputur nga kjo detyrë. Një Bibliotekë Kombëtare nuk e ka në natyrën e vet, në specifikën e vet, shërbimin publik. Ka qenë një detyrë që ky institucion e ka patur relativisht të përkohshme për që u shndërrua në të përhershme, është bërë me një sforcim shumë të madh. Kërkojmë mirëkuptimin e publikut por ajo që presim më shumë është një punë më intensive nga ana e institucioneve për ti bërë gjërat të ecin më shpejt dhe për të kuptuar se tanimë duhen marrë vendime përfundimtare për të ndarë dy funksionet. Pra qyteti i Tiranës më 1/3 e popullatës duhet patjetër të ketë bibliotekën e vet publike.

Përveç këtij shërbimi, le të themi çfarë mban mbi supe ky institucion që nuk duhet ti mbajë?

Simbolikisht i rëndon ky shërbim, po aq sa i rëndon edhe në shfrytëzimin e hapësirave. Relativisht ½ e njësive që kemi do të duhej ti kalonin bibliotekës së qytetit, do të thotë që në një mënyrë ne do të fitonim së paku 40% të hapësirës, që do të shfrytëzohej për fondin që i takon me ligj vetëm Bibliotekës Kombëtare. Dhe nuk është pak.

Shumë i kërkuar dhe shumë i domosdoshëm rikonstruksioni i institucionit më të madh të librit, i kushtëzuar edhe nga një “ngërç ligjor” me institucionet që kanë “zaptuar” disa prej hapësirave të saj, një problematikë e hershme kjo, në cilën fazë jemi më rikonstruksionin?

Biblioteka Kombëtare fillimisht do të hyjë në një fazë shumë teknike të vetën. Do ti duhet të evakuojë, është një proces shumë i gjatë, i shoqëruar me inventarizim, me informacione shumë të detajuara që ndoshta mund të çojë edhe në një tkurrje edhe më të madhe të shërbimeve dhe ndoshta edhe në një mbyllje të përkohshme të punës me librin për publikun. Pra biblioteka ti kushtohet me gjithë forcat e saj këtij procesi. Teknikisht ky proces është i rëndësishëm por shumë i ngadalshëm. Nga ana tjetër, një ekuilibër mund të na sjellë përshtatja e mjediseve të asaj që e njohim si biblioteka e vjetër, përballë parlamentit. Në fund të Janarit do të përurojmë sallën franceze të leximit dhe më pas të përshtatim sallat e tjera për punë më librin.

Jeni duku studiuar një hapësirë të re ku do të zhvendoset përkohësisht Biblioteka Kombëtare?

Me një vendim qeveria në përdorim të Bibliotekës Kombëtare është miratuar kalimi i një hapësire evakuuese, mbi të cilin ka filluar studimi dhe puna në ekip për përshtatjen e saj sepse natyrisht është një hapësirë e cila kërkon një investim shumë serioz për të qenë një hapësirë më gjithë elementët mbrojtës që i duhen fondit të një biblioteke. Paralelisht kemi filluar edhe planet tona të punës për një evakuim së paku edhe të pjesshëm të fondeve tona. Por nuk mund të japë një afat se kur do të nis e përfundojë i gjithë ky proces.

Ku ndodhet ambienti?

Hapësira e re ndodhet brenda

Batalioni i Mbështetjes, ish-Reparti Ushtarak, Nr. 1070, me vendodhje te “Rrapi i Treshit”

.

Do të jetë thjesht një ambient evakuues, si një depozitë ku do të vendosen njësitë e Bibliotekës Kombëtare. Për tu kthyer të institucioni ynë, ne tashmë kemi diçka më shumë se një projekt-ide. Buxhetimi dhe gjithë procedurat e tjera për zhvillimin dhe shfrytëzimin e mjediseve të reja do të bëhen në ditën kur të jepet edhe drita jeshile për këtë projekt-ide. Ai jo vetëm zgjeron hapësirat ku vendosen librat por do të krijohen salla të reja ekspozuese dhe konferencash, sigurisht ato ekzistueset do ti bëhen më bashkëkohore.

Vitin që lamë patëm disa dhurime? Jeni në bisedime për ndonjë “thesar”?

Nuk kanë munguar dhurime nga rajoni, diaspora, ambasada ruse, amerikane,  kineze dhe më i fundit është i Ardian Ndrecës, profesor në Universitetin Urbaniana në Romë, që na dhuroi një seri të plotë të botimit botës arbëreshe nga Anton Belushi. Është një lidhje tipike prej bibliofili për të bërë të mundur një konsultim më të plotë të një koleksioni. Në fund kisha edhe një urim për gjithë publikun e Televizionit Klan, lexime të bukura për 2018-ën.

 Tv Klan