Disa njerëz ëndërrojnë të fitojnë çmimin “Nobel”, por jo Bob Dylan, i cili nuk duket të jetë i interesuar për të.

Akademia Suedeze e ndarjes së çmimeve “Nobel”, ka hequr dorë nga tentativat për tu vënë në kontakt me fituesin në letërsi për vitin 2016.

Sekretarja e përhershme e çmimeve Nobel, Sara Danius, sqaroi në një intervistë për radion Shtetërore Suedeze, se kane dërguar email-e, kane telefonuar bashkëpunëtoret më të afërt të Bob Dilan, por nuk janë vënë në kontakt me kantautorin. “Kështu që për momentin heqim dorë nga tentativa për tu vënë në kontakt”, theksoi Danius.

Kantautori amerikan u vlerësua me çmimin Nobel në letërsi ditën e enjte. Po në të njëjtën ditë, ai ka dhënë një koncert në Las Vegas, ku sipas mediave ndërkombëtare, nuk ka përmendur për asnjë moment çmimin Nobel .

Dylan është i ftuar më 10 dhjetor në Stockholm për të tërhequr çmimin, në një ceremoni që do të mbahet për të gjithë fituesit, por nuk dihet nëse do të marrë pjesë./ TV KLAN