Një qen portugez 30-vjeçar është cilësuar si më i moshuari në botë nga Rekordet Botërore Guinness, duke mposhtur kështu rekordin që qëndronte prej gati një shekulli. I quajtur Bobi, qeni i përket racës së pastër “Rafeiro do Alentejo”, të cilët zakonisht jetojnë 12-14 vjet.

Paraardhësi i tij në rekord ishte “Bluey”, nga Australia, i cili ngordhi në vitin 1939 pasi kishte mbushur 29 vjet e 5 muaj jetë. Por gjëja më mbresëlënëse është se Bobi po i afrohet vitit të 31-të, me shëndet relativisht të mirë.

Ai lindi në fshatin Conqueiros, pranë bregut perëndimor të Portugalisë, së bashku me tre këlyshë të tjerë. Djali i familjes Leonel Costa ishte ai që e rriti qenushin. BBC shkruan se Bob është rritur duke ngrënë ato që hanin njerëzit, që nga mishi e deri te ëmbëlsirat.

Pronarët e tij thonë se ai pati disa komplikacione me shëndetin në vitin 2018, por ia doli të shërohej, me kujdesin e tyre. Ata i siguruan një ambient të qetë për të qëndruar. Sot Bob ka vështirësi në ecje dhe ka humbur një pjesë të shikimit, megjithatë ai mbetet i veçantë në llojin e tij./tvklan.al