“Brenda muajit Gusht, rastet me këtë mutacion do të zenë 90% të rasteve në Europë”

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj gjatë një interviste për Klan Nees tha se pavarësisht se ka rënë ndjeshëm numri i rasteve me Covid-19, virusi është prezent në vendin tonë dhe duhet të bëhet shumë kujdes. Sipas OBSH, Europa pritet të goditet nga një valë e re infeksionesh për shkak të variantit Delta, ndaj edhe Shqipëria sipas Brataj është në një rrezik të mundshëm.

Edhe variant Delta mund të mbërijë në Shqipëri, është predominant dhe mendohet që gjatë verës të bëhet predominant në 90% të rasteve në të gjithë Europën dhe sigurisht që edhe ne nuk do na kursejë. Kryesore është në këtë moment respektimi i masave që ne mundemi të bëjmë, por mbi të gjitha vaksinimi. Kemi një armë shumë të fuqishme në dorë”, është shprehur Skënder Brataj.

Bataj shprehet se rastet aktuale shfaqin simptoma të reja.

“Nuk është më dominante temperatura, por është dhimbja e fytit, dhimbja e kokës, është rrufa ose sekrecionet që duket tamam forma e gripit, por mund të jetë forma Delta dhe në një moment tjetër është dhe temperatura. Kështu që çdo person që ka këto simptoma të kërkojë të bëjë testin”, ka thënë Brataj.

Gjatë 24 orëve operatorët e Urgjencës Kombëtare presin rreth 2 mijë thirrje, pjesa kryesore e të cilave ka lidhje me traumat.

 “Veç Covidit është patologjia kardiologjike dhe aksidentet që janë kryesore në këtë moment që dominojnë, por që ka gjithmonë prezencë të të sëmurëve me Covid. Edhe ato 4-5 apo 8 vizita në ditë kryhen nga të cilat 2-3 përfundojnë drejt spitalit. Nga 1 Janari deri në fund të Majit ishin rreth 1477 aksidente”, është shprehur ai.

Qytetarët i janë drejtuar 127 edhe për shkak të goditjes nga dielli dhe problemeve shëndetësore që kanë hasur nga temperaturat e larta.

“Temperaturat e larta krijojnë probleme në të gjitha moshat, por kryesisht tek moshat e treta për arsye të metabolizmit dhe mekanizmave kompesatorë që janë më të ngadalshëm që të përshtaten me këto ndryshime dhe sidomos që vijnë në një kohë të shkurtër dhe me temperatura kaq të larta. Kështu që këshillimi është që mos të dilet në ato orë të nxehta mbas orës 10 dhe orës 4-5 pasdite. Të përdorin sa më shumë lëngje, të përdorin rroba të gjëra dhe jo të ngushta, kryesisht ngjyra të zbardhura të cilat thyejnë rrezet UV”, ka përfunduar mjeku. 

Të dhënat zyrtare nga Urgjenca Kombëtare tregojnë se në këto 15 muaj pandemi janë kryer 40 mijë vizita në banesë për të infektuarit nga Sars Cov 2 dhe prej tyre rreth 20 mijë janë shtruar në spital.

Klan News