Gjykata e Lartë  Brazilit votoi për dekriminalizimin e posedimit të marijuanës për përdorim personal. Vendimi erdhi pas nëntë vitesh diskutime dhe pezullime të shumta.

Të gjithë gjyqtarët që kanë votuar pro thanë se dekriminalizimi duhet të kufizohet në posedimin e marijuanës në sasi të përshtatshme për përdorim personal , ndërsa shitja e drogës do të mbetet e paligjshme.

Në vitin 2006, Kongresi i Brazilit miratoi një ligj që kërkonte të ndëshkonte individët që kapeshin duke mbajtur sasi të vogla droge, përfshirë marijuanën, me dënime të lehta si shërbimi në komunitet. Ekspertët thonë se ligji ishte shumë i paqartë dhe nuk përcaktonte një sasi specifike për të ndihmuar forcat e rendit dhe gjyqtarët të dallonin përdorimin personal nga trafiku i drogës.

Vendimi i Gjykatës së Lartë është kërkuar prej kohësh nga aktivistët dhe studiuesit ligjorë në një vend ku popullsia e të burgosurve është bërë e treta më e madhe në botë. Kritikët e legjislacionit aktual thonë se përdoruesit e kapur edhe me sasi të vogla droge dënohen rregullisht për akuza trafikimi dhe mbyllen në burgje të mbipopulluara, ku detyrohen të bashkohen me bandat e burgjeve.

Ndërkaq ashtu si në vendet e tjera të rajonit, si Argjentina, Kolumbia dhe Meksika, përdorimi mjekësor i kanabisit në Brazil është i lejuar, megjithëse në një mënyrë shumë të kufizuar. Uruguai e ka legalizuar plotësisht përdorimin e marijuanës dhe në disa shtete amerikane përdorimi rekreativ për të rriturit është i ligjshëm.

Klan News