Pas një pritjeje të gjatë, Barcelona më në fund ka arritur që të regjistrojë Dani Olmon në La Liga. 26-vjeçari u bë pjesë e blaugranave nga Leipzig në një marrëveshje me vlerë 55 milionë euro plus 7 të tjera bonuse.

Por tri javë pas mbërritjes së tij, Barcelona po haste probleme të mëdha me regjistrimin, për shkak të mungesës së hapësirës për paga. Drejtuesit katalanas u vunë në veprim dhe larguan Ilkay Gundogan, Clement Lenglet, Vitor Roque dhe Mika Faye, por ende nuk ishin në gjendje që të arrinin regjistrimin e Olmos.

Klubi blaugrana vendosi që të përdorë dëmtimin e Andreas Christensen me argumentin se ai do të mungojë gjatë, e në këtë mënyrë mundi që të regjistronte Olmon. Katalanasit ndoqën një strategji të ngjashme edhe me regjistrimin e Inigo Martinez, duke përdorur mungesën Ronald Araujo të dëmtuar.

Shqetësimi i vetëm te Barcelona është se si do të shkojnë gjërat nëse Christensen do të rekuperohej më herët se sa pritej.

Por drejtuesit kanë siguruar lojtarin danez se problemi i Fair Play-t financiar do të zgjidhet shpejt dhe se ai do të jetë në gjendje të luajë kur të kthehet nga lëndimi pa asnjë problem.

Klan News