Qeveria italiane ka përcaktuar kushtet dhe vlerat e rimbursimit financiar të shpenzimeve të udhëtimit dhe akomodimit të avokatëve dhe përkthyesve që do të shkojnë në Gjadër për të ndihmuar azilkërkuesit të cilëve u është pranuar dhënia e ndihmës juridike falas nga shteti.

Në Fletoren Zyrtare është publikuar dekreti i Ministrisë së Drejtësisë italiane, ku përcaktohet një vlerë rimbursimi e shpenzimeve jo më e lartë se 500 euro. Edhe pse në përgjithësi seancat gjyqësore ku do të shqyrtohen kërkesat për azil do të zhvillohen në distancë, dekreti specifikon se shpenzimet e rimbursueshme janë ato të dokumentuara dhe që kanë të bëjnë me udhëtimin, akomodimin e nevojshëm për zhvillimin e seancave në Shqipëri, kur ata e kanë të pamundur të marrin pjesë në formë virtuale me telekonferencë.

Avokatët dhe përkthyesit duhet t’i paraqesin gjyqtarit kompetent një kërkesë pagese për rimbursim të shpenzimeve të kryera në Shqipëri, të shoqëruar me dokumentacionin mbështetës.

Në dekret sqarohet gjithashtu fakti se nga zbatimi i këtyre dispozitave nuk duhet të krijohen ngarkesa të reja apo më të mëdha për financat publike, të cilat duhet të menaxhohen me burimet financiare shtetërore tashmë të disponueshme.

Barra më e madhe e shpenzimeve për palën italiane ka të bëjë me ato të udhëtimit të personelit të ministrive të Brendshme, të Drejtësisë dhe të Shëndetësisë, si dhe ato për dhënien me qira të anijeve që do të sjellin në vendin tonë azilkërkuesit afrikanë meshkuj të shpëtuar në det.

Personeli italian që operon në Shqipëri do të gëzojë përjashtime nga taksat, si dhe përjashtim nga sistemi i vizave dhe lejeve të qëndrimit. Me protokollin e nënshkruar, Shqipëria i njeh Italisë të drejtën për të përdorur zona të caktuara, pa pagesë, për ndërtimin e strukturave për kryerjen e procedurave kufitare apo të riatdhesimit të atyre azilkërkuesve që nuk kanë të drejtë të hyjnë dhe të qëndrojnë në territorin italian, me një limit maksimal prej 3000 personash në të njëjtën kohë.

Dy qendrat e ngritura në Shqipëri, në Shëngjin dhe në Gjadër gëzojnë ekstra-territorialitet, duke u konsideruar përkohësisht si territor italian brenda një shteti të huaj. Ato pritet të jenë në funksionim të plotë në fillim të Shtatorit, duke pritur azilkërkuesit e parë. 

Klan News