Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Me iniciativë të presidentit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, zotit Fatmir Musaku, u mblodh sot tryeza sindikaliste. Zoti Musaku, miratoi marrëveshjen e bërë midis Ministrisë së Arsimit dhe Federatës së Sindikatave të arsimit, për kërkesat e mësuesve. Tryeza vlerësoi punën e qeverisë Meta në infrastrukturë dhe i kërkon atij një takim pune, ku të diskutohen problemet aktuale të partnerëve social, punëdhënës-punëmarrës dhe qeveri.

Tryeza rivlerësoi zgjedhjet për pushtetin lokal dhe i quajti ato nga më demokratiket të zhvilluara në vendin tonë. Çdo tendencë për kundërshtimin e tyre është keqdashësi dhe cenon interesat tërësore kombëtare. Protestat e zhvilluara ditët e fundit nga grupimi për demokraci dhe vënia në krye të tyre e adoleshencës është një precedent i rrezikshëm për shoqërinë civile, u tha në këtë tryezë.

Tryeza sindikaliste i bën thirrje grupimit Bashkimi për Demokraci, të respektojë konventën ndërkombëtare për ruajtjen e respektimin e fëmijëve. Tryeza sindikaliste i bën thirrje mbarë opinionit publik shqiptar, që të distancohen nga aktet e shëmtuara të grupimit Bashkimi për Demokraci, të marrjes së pushtetit me dhunë./tvklan.al