12 vite burg do të vuajë një i ri shqiptar, i cili u dënua së fundmi nga gjykata e Torinos pas gjykimit të shkurtuar. Bëhet fjalë për Donald Rushitin, i cili më 22 Tetor të 2017-s vrau me armë zjarri bashkatdhetarin e tij, Shpëtim Frashërin, 39 vjeç.

Rushiti, osi siç njihet nga të gjithë njerëzit si Doni, u arratis pas ngjarjes në Shqipëri, mirëpo u arrestua në Tiranë dhe më pas u ekstradua. Sëbashku me të, të pandehur në lidhje me këtë vrasje janë edhe tre shqiptarë të tjerë të cilët janë në kërkim: Hasim Murataj, Cerciz Banushi dhe Sabri Brakaj.

Gjykata e Torinos dha vendimin për Rushitin të shtunën. Edhe pse motivi nuk është zbuluar kurrë, autoritetet thonë se vrasja ndodhi për shkak të tregut të paligjshëm të prostitucionit.

Viktima drejtonte një rrjet të vogël prostitucioni në zonën e De Sanctis. Natën e krimit , Frashëri shoqërohej me disa persona dhe u përfshi në një sherr me katër shqiptarët në barin “Chic”.  Ky konflikt është filmuar nga kamerat e lokalit.

Aty shikohet se si Frashëri ndiqet në mes të rrugës dhe më pas qëllohet me një pistoletë të kalibrit 45. Gjithashtu autoritetet zbuluan plumba që kishin përfunduar në xhamat e disa pallateve në zonë. /tvklan.al