Sot në rubrikën “Shihemi në gjyq” të emisionit “E Diela Shqiptare” përballen bashkëshortët Violeta dhe Nasi. Ata ndodhen prej rreth 50 vitesh në konflikt për një pronë, për të cilën Nasi pranon se ka neglizhuar ndjekjen e dokumentacione për pronësinë.

Gjithçka ka nisur pasi bashkëshortja e të atit të Nasit, Thomait ndërroi jetë dhe ky i fundit bashkëjetoi me një grua, Cien, e cila ishte e ndarë dhe kishte dy fëmijë. Nga kjo marrëdhënie erdhi në jetë Nasi. Pas dy vitesh Thomai ndërroi jetë dhe Cia vijoi të mbante mbiemrin e bashkëshortit të saj, Çuko.

Por problemi qëndron tek vëllai i tij nga nëna, Dhimitri, që pretendon pronësinë, duke e lënë Nasin pa asnjë të drejtë mbi pasurinë që i takon nga i ati.

Në këtë mënyrë Nasi ka lënë dhe fëmijët e tij pa pronë, ndaj dhe vazhdojnë konfliktet me bashkëshorten e tij. Ai shprehet se ka patur marrëdhënie të mira me familjen nga nëna, por tanimë i kanë dalë të pabesë, duke i marrë trashëgiminë që i takon.

Ndërsa bashkëshortja e tij i thotë:

“Ti nuk ke asnjë dokument. Ti ke marrë dokumentet e gjyshit tënd nga Arkiva Qendrore dhe në Lushnje ke të babait tënd. Sot në Lushnje të thonë që nuk ke dokument, bëj gjyq. Pse nuk e ke bërë? Çfarë ke pritur deri më sot?”

Juristja Eni Çobani shpjegon se pas vdekjes së gjyshit të Nasit, prona u trashëgua nga i biri Thomai dhe e bija. Kjo e fundit vendosi t’ia shesë pjesën e saj fqinjit, ndërsa Thomai i shiti vetëm një të tretën e pjesës së tij.

Në dokumentin e Zyrës Vendore të Regjistrimit në Lushnje, të datës 19.10.2018, me drejtues Shkëlqim Mebeli,  thuhet se nga verifikimi në sistemin elektronik të pasurive të paluajtshme nuk rezulton që i ndjeri Thoma Cirroku të ketë pasuri të paluajtshme, të regjistruar në pronësi apo bashkëpronësi. Ndërkohë që kjo pronë ka të gjithë dokumentacionin e nevojshëm pranë Arkivës Shtetërore.

Ndërsa në vitin 2014, në dokumentin e lëshuar nga kryeregjistruesi Bledar Koçiu thuhet:

“Pasuria për të cilën pretendohet, e llojit truall, me pronar sot Kozma Dhimitër Çuko, nuk disponon numër reference dhe për këtë arsye nuk i bashkangjisim dot informacionin e duhur”. 

Pra, kjo pronë sot është në emrin e nipit të Nasit, me të cilin ky i fundit nuk ka asnjë lidhje biologjike apo trashëgimie.

Pasi Violeta u interesua sërish pranë këtij institucioni në vitin 2016, iu tha nga kryeregjistruesi Astrit Dervishi se për pasurinë me sipërfaqe 200 metra katrorë është hapur një kartelë e regjistrimit sporadik në emër të Dhimitër Çukos, çka do të thotë regjistrim i përkohshëm. Më pas, në bazë të trashëgimisë, kjo pronësi ka kaluar tek i biri, Kozma Çuko.

Por e zhgënjyer zonja Eni thotë:

“Është hera e parë në kulturën time juridike që lexoj një dokument të tillë, që regjistrohet një pronë në mënyrë të përkohshme!”.

Ndërsa në vitin 2017, kryeregjistruesi Eris Stambulliu gjeti dokumentacionin e pronësisë në regjistrisin hipotekor të viteve 1936 dhe 1939 dhe e citoi në dokumentacionin e lëshuar, por nuk ka bashkangjitur asgjë.

Por një dokument i vitit 1924, që mund të gjendet lehtësisht tek Arkiva Shtetërore, tregon se Marsi Cirroku, gjyshi i Nasit ka blerë pasurinë, për të cilën debatohet me vlerën 200 franga, duke vërtetuar pronësinë.

Zonja Eni shprehet:

“Shteti funksionon zinxhir dhe dokumentet duhet të jenë patjetër online. Çfarë ka Arkiva e Shtetit duhet ta ketë çdo Hipotekë në Republikën e Shqipërisë. Përse kjo lodhje e shtuar qytetarëve për të gjetur dokumente?”.

Por ajo çfarë e shqetëson Violetën është një deklaratë noteriale që Nasi ka bërë në vitin 2003, për të cilën nuk vuri në dijeni as bashkëshorten dhe as fëmijët. Nasi justifikohet me faktin se duke qenë se nuk figuronte në asnjë dokument si pronari legjitim i pasurisë, vendosi të firmoste, për shkak edhe të presionit psikologjik dhe fizik që i bëri i vëllai.

Violeta shprehet e vendosur:

“Unë dua të marrësh pronën, përndryshe do ikësh nga shtëpia ime! Shko atje te nipi jot, te shtëpia e babait tënd se shtëpinë e kam marrë vetë! Unë kam një fëmijë të sëmurë, djalin tjetër e kam 15 vjet me qira dhe është me borxhe. Bëj dokumentet për fëmijët e tu!”

Por Nasi i thotë:

“Unë të solla nga Berati këtu ty! Nga ligji i Gjendjes Civile je e detyruar t’i nënshtrohesh burrit dhe unë gruas”

, duke rrëmbyer duartrokitjet dhe buzëqeshjen e të gjithë të pranishmëve. Ai shpjegon se gjithçka e ka toleruar për të mos prishur marrëdhëniet me vëllain.

Juristja Çobani tregon se regjimi juridik i bashkëshortëve ligjërohet me pasuri të përbashkët vetëm në momentin e celebrimit ligjor, por gjithsesi në këtë rast prona është trashëgimi e bashkëshortit dhe jo e fituar gjatë martesës, ndaj dhe e ëma e Nasit nuk mund ta përfitojë gjysmën e pasurisë.

“Zonja nuk ka gëzuar ligjërisht të drejta të barabarta me bashkëshortin, pasi ajo ka qenë vetëm në bashkëjetesë dhe ka ardhur në këtë shtëpi, pra e ka gjetur këtë banesë dhe banesa ka qenë në emrin e zotit Thoma, bashkë me truallin”,

shton zonja Eni.

Në vitin 1962 Nasi dhe familjarët e tij morën një kredi, për të cilën vendosën të ndryshonin pronësinë e pasurisë. Në vendimin e gjykatës thuhet:

“Gjykata vërteton gjyqësisht faktin për pronësinë e zotit Dhimitër, Cie (nëna), Stavri dhe Nasi Cirroku në një shtëpi, në mënyrë të përbashkët dhe të pandarë, në 2 dhoma dhe një korridor, me truall prej 40 metrash katrorë”.

Ky vendim duhet të ishte regjistruar në Hipotekë, por ky regjistrim nuk rezulton, pasi sot kjo pronë duhet të ishte në pronësinë e të katërt familjarëve dhe jo vetëm të njërit. Por në vitin 2003 Nasi ka shkuar në një zyrë noteriale dhe ka firmosur një deklaratë, ku pranon se janë të katërt pronarë, ndërkohë që është pronar i vetëm. Më pas, ai vendos t’i drejtohet gjykatës për të zhvleftësuar deklaratën, por përballet me një përgjigje që nuk e priste.

Kjo deklaratë është e pavlefshme dhe nuk ka patur asnjë pasojë juridike, pasi nuk ka patur asnjë veprim në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Në Arkivën Shtetërore ndodhet edhe dokumenti që Thoma Cirroku i ka shitur një pjesë të pronës fqinjit të tij, kundrejt vlerës 100 franga. Ndërkohë që Shkëlqim Mebeli pretendon se nuk ka asnjë dokument për të vërtetuar që kjo pasuri është në pronësinë e Thoma Cirrokut.

Nipi i Nasit ka prishur ndërtesën e vjetër dhe ka ndërtuar një shtëpi tjetër në këtë pronë, duke marrë leje ndërtimi nga Bashkia Lushnje. Zonja Eni ngre pyetjen se si është e mundur që ky institucion e ka dhënë këtë leje, ndërkohë që Kozma Çuko figuron si pronar i përkohshëm, nëpërmjet një regjistrimi sporadik.

Në datën 17 Janar të vitit 2011 familja Cirroku nëpërmjet një shkrese, i ka kërkuar Bashkisë Lushnje të mos e japë lejen e ndërtimit, pasi për këtë pronë ndodhen në procese gjyqësore. Por kryetari i atërhershëm Albert Sanxhaku e ka dhënë këtë leje ndërtimi, ndaj dhe juristja Çobani kërkon nga organet kompetente shqyrtimin e kësaj dosjeje.

Publiku i emisionit “E Diela Shqiptare” përkrah Violetën në këtë seancë ndërmjetësimi, e cila kërkon të drejtën e fëmijëve. Ajo kërkon nga bashkëshorti të ndjekë çështjen në gjykatë dhe nëse nuk e merr pronën që e ka të trashëguar nga i ati të shkojë të jetojë me nipin e tij, pasi sipas saj: “Aty e ka vendin”.

Juristja Eni Çobani e përmbylli duke thënë:

“Ky është një çift që unë e dua shumë se kemi 3 vjet që jemi sëbashku. Besoj që pas ditës së sotme nuk do të lemë më vonesa dhe do t’i drejtohemi edhe një herë Zyrës Vendore të Regjistrimit Lushnje. Nëse andej nuk marrim sërish përgjigje, atëherë do t’i drejtohemi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnje për ta zbardhur përfundimisht të gjithë këtë proces”.

Pas kësaj seance ndërmjetësimi, bashkëshortët u qetësuan për të zgjidhur sëbashku konfliktin që i ka larguar prej rreth 50 vitesh.

/tvklan.al