Bullgaria nuk ka dhënë ende miratimin për Maqedoninë e Veriut

Kur do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian për anëtarësimin! Kjo po diskutohet këtë të martë në Luksemburg mes ministrave për çështjet europiane të vendeve anëtare.

Pritshmëritë nuk janë të pakta për zhvillimin e shpejtë të kësaj konference, por ajo që shqetëson më shumë janë mosmarrëveshjet që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë për çështjet kulturore, që mund të mbajnë peng edhe Shqipërinë.

Tepër kritik me Bullgarinë u shfaq ministri gjerman Michael Roth, i cili bëri thirrje që çështjet bilaterale të mos përzihen me interesin e përbashkët.

“Komisioni Europian dhe qeveria federale gjermane janë të mendimit që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përmbushur detyrimet e tyre, në mënyrë që ne tani të nisim nga puna. Unë shpresoj që sot të arrijmë në rezultate të arsyeshme. Shpesh habitem që për çështje stategjike mendojmë shumë ngushtë. Këtë rajon duhet ta kemi në konsideratë, pasi po lamë vakume, ato do të mbushen nga të tjerë që nuk janë të përkushtuar ndaj vlerave tona”.

Për ministrin sllovak duhet mesazh pozitiv për të ruajtur besueshmërinë e BE-së në rajon.

“Jam në pritje të rezultateve të mira dhe përgjigjeve pozitive, pasi është fjala për besueshmërinë e Bashkimit Europian në këtë rajon, që për Sllovakinë është shumë e rëndësishme”.

Javën e kaluar u hoq një barrierë e fortë kundër hapjes së negociatave, siç ishte Parlamenti holandez që miratoi çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Opinioni i Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme dhe Europës do të merret parasysh në samitin e liderëve të unionit të enjten dhe të premten ku jepet vendimi përfundimtar. 

Tv Klan