Olimpiada personifikon rikthimin në jetë pas COVID-19, do ndiqet nga 950 persona

E thjeshtë dhe me momente të frymëzuara nga drama e pandemisë. Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike të Tokio 2020, e vendosur për tu mbajtur në stadiumin “Olimpik” do të zgjasë rreth 3 orë e gjysmë dhe do t’i kushtohet thuajse tërësisht situatës së COVID-19 që njerëzimi dhe bota e sportit në veçanti ka përjetuar prej një viti e gjysmë.

Sipas gazetarëve që kanë qenë të pranishëm në provën e saj, e planifikuar për në orën 13:00 të së premtes me orën tonë lokale, ceremonia do nisë me një njeri të vetëm në qendër të stadiumit. Artisti do shfaqet i shtrirë në tokë dhe më pas do nis të ngrihet e të drejtohet në këmbë për të simbolizuar kthimin në jetë.

Në një ekran të madh do të shfaqen atletët pjesëmarrës që po stërviten në dhomat e tyre në mënyrë individuale. Skena që i kemi parë shpesh gjatë kësaj periudhe sidomos gjatë vitit 2020. Prezent në ceremoninë hapëse do jenë rreth 950 persona, ku kryesisht do jenë presidentë të shteteve pjesëmarrëse.

Klan News