India, tjetër rekord botëror prej rreth 98 mijë infektimesh ditore

Gjashtë muaj pas shpalljes së pandemisë globale, numri i të prekurve nga COVID-19 në të gjithë globin arriti një pikë të re kulmore, prej më shumë se 30 milionë persona. Mes tyre 945 mijë kanë humbur jetën, teksa shifra e personave të shëruar mes atyre që janë shpallur të prekur deri më sot ka tejkaluar 72%.

Franca vijon të ketë të njëjtin ritëm të lartë infektimesh, ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar afro 9800 të infektuar. Çekia shënoi një rekord të ri infektimesh ditore prej mbi 2 mijë personash. Ky vend ka aktualisht ritmet më të larta të përhapjes në kontinent në përpjestim me popullsinë. Rekord infektimesh shënoi edhe Ukraina me mbi 3500 të infektuar në 24 orë.

India theu për të tretën herë rekordin botëror të infektimeve ditore që i ka vendosur vetë. Këtë 24-orësh u shënuan afro 98 mijë të infektuar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkoi nga Presidenti amerikan Donald Trump të reshtë së bëri deklarata kontradiktore. Kjo organizatë u bën thirrje qeverive e organizmave shkencore të tregojnë kujdes për të sqaruar sa më saktë opinionin publik për masat që ndërmerren kundër COVID-19 dhe me hapat e hedhura për nxjerrjen e një vaksine të sigurtë.

Tv Klan