OKB në dilemë kë të shpëtojë më parë, të infektuarit apo të uriturit?

Kriza e koronavirusit do të prodhojë një tjetër krizë, atë të urisë. Në bazë të një artikulli të publikuar nga ‘The Guardian’, mbi 250 milionë njerëz në të gjithë botën do të përballen me pasiguri ushqimore.

Sipas David Beasly, kreu i Programit Ushqimor Botëror, shprehet se Covid-19 është potencialisht katastrofik për miliona persona, jeta e të cilëve tanimë është nën kërcënimin e virusit.

Beasly thekson se kjo është një goditje shumë e madhe pasi njerëzit po mbijetojnë vetëm me pagën mujore e cila aktualisht është e pamjaftueshme duke u nisur nga fakti se bota po vuan edhe papunësinë. Sipas ekonomistëve, pandemia ka goditur më së shumti shtresën e varfër.

‘The Guardian’ i referohet Raportit Global për Krizat e Ushqimit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, në të cilin thuhet se disa nga vendet më të varfëra mund të përballen me dy zgjedhje, ose të shpëtojnë ata që vuajnë nga uria ose ata nga virusi.  

Vendet më të rrezikuara janë ato që që vuajnë nga konfliktet e vazhdueshme, kriza ekonomike, dhe ndryshimi i klimës, si Jemeni, Republika Demokratike e Kongos, Afganistani, Venezuela, Etiopia, Siria, Nigeria dhe Haitin.

António Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i OKB, është shprehur se raporti duhet të jetë një thirrje për të vepruar. Guterres ka apeluar qeveritë në të gjithë botën që të dyfishojnë  përpjekjet për të mposhtur urinë dhe kequshqyerjen.

Një tjetër shqetësim i ekspertëve është se donatorët tanimë e kanë ngadalësuar punën e tyre pasi koronavirusi dhe rregullat e distancimit social nuk i lejon ata që të shpërndajnë ndihma në zonat e goditura më ashpër nga COVID-19.

Klan Plus