Shiu i kësaj të hëne e boshatisi bregdetin. Sepse sapo nisën reshjet e para, temperaturat ranë menjëherë.

Nuk gjeje në këtë fundkorriku në plazhin e Shëngjinit, as edhe një guximtar që të paktën të provonte të zhytej në det. Vetëm çadra dhe zhezlona bosh.

Pushuesit ikën me të njëjtin vrull që kishin ardhur, duke krijuar sërish trafik në rrugët me shi.

Këtu jemi në Shkodër. Disa orë më parë kjo ishte pedonalja e qytetit. Mes shtëpive karakteristike të zonës muzeale dhe mes picerive në dy anët e rrugës, rrjedh një lumë i rrëmbyer, i krijuar falë paaftësisë se kanalizimeve për të përballuar fluksin e ujit.

Pamjet nga reparti i imazherisë në spitalin e qytetit, janë katastrofike. Uji u fut në katin e parë të godinës duke penguar punën e stafit mjekësor.

Në Tiranë kanë qenë të vëmendshëm ndaj parashikimit të motit. Sapo ia krisi shiu, kalimtarët hapën menjëherë çadrat që kishin marrë me vete.

Kishte prej tyre që nuk e kanë çadrën zgjedhjen e parë.

Gjithsesi reshjet nuk zgjaten shumë në kryeqytet dhe kaluan me pak trafik nëper rrugët dytësore.

Nga lagështira në rrugë, një makinë doli nga rruga në Librazhd duke goditur barrierën anësore të rrugës. Nga përplasja barriera metalike është futur mes përmes makinës. 2 personat që udhëtonin në makinë, drejtuesi i mjetit dhe bashkëshortja e tij, u dërguan në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Fatkeqësisht në një nga fshatrat e Gjirokastrës, stuhitë i morën jetën një të riu 22 vjeçar. Xhuliano Koçiu quhet djaloshi që u godit për vdekje nga rrufeja ndërsa ishte duke kullotur bagëtitë.

E marta parashikohet të jetë me mot të freskët.

Reshjet e shiut do të jenë të lokalizuara në veri, dhe në kryeqytet dhe Elbasan.

Moti i keq do të vijojë deri në 26 Korrik, kur pritet që temperaturat të rriten sërish dhe vendi do të preket nga një valë e të nxehtit afrikan.

Tv Klan