Loja e Shqipërisë ndaj Izraelit i ka pëlqyer ish-trainerit Gianni De Biasi. Tekniku vlerësoi fitoren në nisje të Ligës së Kombeve, pavarësisht pasigurive që u panë në mbrojtje në pjesën e parë.

“Pashë një Shqipëri të ekuilibruar. Vuajti pak në pjesën e parë, por në pjesën e dytë ishte shumë më mirë. Ndeshja e parë është gjithnjë e vështirë. Shto edhe faktin që ka lojtarë që nuk janë në formë, por e nisën siç duhet, morën 3 pikët dhe fituan besim për kompeticionin e ri. Shqipëria fitoi me meritë dhe djerse. Mund të shënonte sërish në fund”.

Por sa ka ndryshuar kjo skuadër nga ajo që humbi me Izraelin në Elbasan, e më pas fitoi bindshëm në fushë kundërshtare.

“Shqipëria ka bërë gjëra të mira. Eksperimentet duhen bërë në miqësore, se s’mund të bëhet ndryshe, por puna e një traineri duhet vlerësuar në planin e gjerë, jo pas çdo ndeshjeje t’i vëmë thikën në fyt”.

Pjesëmarrja në Europian kësaj herë është i mundur nëpërmjet kualifikimit dhe Ligës së Kombeve

“Shqipëria duhet të bëjë hapat që ka mundësi. Nuk mund të bëjë fluturime fantazie. Duhet të qëndrojë me këmbë në tokë. Në ndeshjen e djeshme kishte shumë mungesa. Lojtarë ka dhe kanë mundësi të bëjnë më shumë, e rëndësishme të mos ketë dëmtime. Më pëlqeu edhe Binaku bërë paraqitje të mirë në debutim. Ëndrrat në jetë mund të realizohen. Duhet të ketë dëshirë dhe inteligjencë. Edhe traineri ka dëshirë të tregojë vlerat e tij. Mendoj se portat për të ardhmen mund të hapen”.

Ndeshja e radhës në pak ditë është kundër Skocisë. Kundërshtar me karakteristika shumë më të ndryshme se Izraeli.

“Kundër Skocisë duhet fiziku, sepse ata vënë shumë energji dhe vendosmëri dhe luajnë me topa të gjatë. Përballja fizike do të jetë e rëndësishme. Të gjitha skuadrat kanë mundësi të arrijnë të parat në grup. Shpresojmë tek një rezultat pozitiv në Skoci”.

Tv Klan