Administrata e re amerikane nëpërmjet të dërguarit të posaçëm të Trump për operacionet speciale Richard Grenell është rreshtuar pro ish-Presidentit kosovar Hashim Thaçi dhe kundër Gjykatës së Hagës.

Grenell shkruan se mbajtja në paraburgim e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi është padrejtësi e rëndë e cila duhet të marrë fund.

“I uroj të gjithë miqve të mi në Kosovë një festë të gëzueshme për 17 vjetorin e pavarësisë. Megjithatë, ky moment historik është u la në hije nga një padrejtësi e rëndë. Babai themelues i shtetësisë së Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi, duhet të festonte në Prishtinë, jo pas hekurave në Hagë”, është shprehur Grenell.

Grenell adreson kritika ndaj evropianëve për këtë që ai konsideron si padrejtësi ndaj Thaçit në 5 vitet e fundit.

“Evropianët nuk kanë arritur të veprojnë kundër kësaj padrejtësie në 5 vitet e fundit. Dhe institucionet shtetërore të Kosovës kanë dështuar të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie – për shkak të politikës. Ky burgim i padrejtë duhet të marrë fund”, tha Grenell.

Grenell e ka mbyllur postimin në rrjetin “X” duke ia vënë në dukje në veçanti këtë prokurorit Jack Smith, i cili i akuzoi ish-krerët e UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump s’e ka përjashtuar mundësinë e hetimit të Jack Smith, ndërsa ka paralajmëruar se ish-kryeprokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të kthehet në Gjykatën Speciale në Hagë.

Në një intervistë në NBC News, Presidenti Trump e quajtur “shumë të korruptuar” Smithin, i cili para një viti ishte emëruar për t’i mbikëqyrur hetimet penale ndaj tij.

Ky mesazh i të dërguarit presidencial i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për misionet speciale, Richard Grenell ishte pjesë e urimit që ai iu adresoi kosovarëve me rastin e 17-vjetorit të pavarësisë.

Ky qëndrim u mbështet edhe nga Kryeministri Rama që në ripostimin e mesazhit te Grenell shkruan se mbajtja në paraburgim e Thaçit është njollë e rëndë për drejtësinë ndërkombëtare.

Klan News