Dëmshpërblimi i të përndjekurve të regjimit komunist përtej debatit politik jo pak herë ka krijuar konfuzion lidhur me mënyrën dhe kategoritë e familjarëve që e përfitojnë atë.

Që prej hyrjes në fuqi të ligjit që u njeh të drejtën e kompensimit financiar të gjithë atyre që vuajtën pasojat e diktaturës Ministria e Drejtësisë ka çuar për ekzekutim në Ministrinë e Financave 1440 dosje nga 16 mijë e 579 aplikime të depozituara.

Të drejtën për të tërhequr paratë e dëmshpërblimit e ka një rreth i gjerë familjarësh në rastet kur përfituesi i drejtpërdrejt nuk jeton më, por rrethi i atyre që mund të përfitojnë dëmshpërblim ka gjasa të zgjerohet nëse kuvendi do të miratojë nismën ligjore të deputetit demokrat, Astrit Bushati, draft i cili parashikon përfshirje në skemën e përfitimit të gjithë ata ish-të dënuar që nuk kanë lënë pasardhës të drejtpërdrejt siç është dhe rasti i klerikëve.

Marsida Xhaferllari: “Ligji nr.9831 në nenin 8 jep konceptin e familjarëve të ish-të dënuarit politik dhe sipas kësaj dispozite me familjarë të ish-të dënuarit kuptohen prindërit, bashkëshortja dhe fëmijët e e ish të dënuarit politik. Në këtë pikë duhet thënë që ka një iniciativë në kuvendin e Shqipërisë për të zgjeruar rrethin e familjarëve të ish-të dënuarit politik. Në rast se ish i dënuari politik e ka gjithë këtë rreth familjar të gjallë atëherë të parët që përfitojnë janë bashkëshortja dhe fëmijët. Në rast se këta nuk ekzistojnë përfitues janë prindërit, në rast se as prindërit nuk ekzistojnë atëherë janë vëllezërit dhe motrat. Në rast se vëllezërit dhe motrat kanë vdekur atëherë përfitues të dëmshpërblimit financiar bëhen fëmijët e vëllezërve dhe motrave”.

Për çdo ditë vuajtje dënimi të kryer në burg, spital psikiatrik, izolim në hetuesi nga viti ’44 deri në vitin ’91 një ish i përndjekur përfiton 2 mijë lekë në ditë.

Personat që kanë vuajtur internimin në kamp deri në vitin 1954 përfitojnë një dëmshpërblim prej 1 mijë lekësh në ditë.

Familjarët e viktimave të pushkatuar apo ekzekutuar me dënim politik të padrejtë përfitojnë një dëmshpërblim të barabartë me masën e kompensimit të tetë viteve burg, por pavarësisht nismës së re të kuvendit, e cila kërkon shtyrjen e afatit deri më 31 Korrik të këtij viti Ministria e Financave nga ana e saj ka hapur llogaritë e para bankare për ish të dënuarit që janë kualifikuar si përfitues.

Lidhur me numrin dhe mënyrën e pagesës të interesuarit mund të gjejnë më shumë informacione në database-in e Ministrisë së Drejtësisë në faqen zyrtare të saj në internet./tvklan.al