Një ditë pas takimit me kryeministrin Berisha, ku shprehu entuziazmin e tij për ecurinë e reformave në Shqipëri, zëvendës presidenti i Komisionit Europian Zhak Barro, i cili është përgjegjës për çështjet e drejtësisë dhe sigurisë në BE, zhvilloi sot biseda pune me ministrin e Brendshëm Bujar Nishanin dhe ministrin e Drejtësisë Enkelejd Alibeaj.

Përsa i takon rolit të Policisë së Shtetit në zgjedhje, ministri i Brendshëm informoi se policia po trajnohet për këtë qëllim dhe se roli i saj ka të bëjë vetëm me ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe shoqërimin e kutive të votimit, sipas ligjit ne fuqi.

Zëvendës presidenti Barro u shpreh se zhvillimi i këtyre zgjedhjeve sipas standardeve është momenti për të dëshmuar pjekuri demokratike.

Ministri i Brendshëm, Nishani informoi, mbi goditjen e grupeve kriminale dhe vënien e rreth 900 anëtarëve të tyre para drejtësisë, ekstradimin dhe vënien para drejtësisë të rreth 250 personave, goditjen e vazhdueshme dhe uljen e ndjeshme të trafiqeve të drogës dhe qenieve njerëzore, goditjen e korrupsionit, ku tre vitet e fundit numërohen afro 200 të arrestuar, mes tyre edhe të niveleve të larta të shtetit dhe administratës, e po kështu edhe në radhët e policisë, ku numërohen rreth 115 të arrestuar për korrupsion.

Delegacioni i KE, u prit edhe nga ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, ndërsa gjatë takimit u diskutua për sistemin e drejtësisë dhe reformat në këtë fushë. Barrot i cilësuar si arritje të suksesshme zbatimin e disa strategjive në drejtësi.

Sipas tij reformat në drejtësi duan maturi dhe kujdes sepse rrethi i gjyqtarëve kudo është i ndjeshëm. Ministri Alibeaj tha, se për të realizuar reformën në drejtësi jemi përpjekur që të realizojmë ndërhyrjet e domosdoshme ligjore, por dhe të ruajmë konceptin e pavarësisë së sistemit.

Po iki nga Shqipëria me mendimin se këtu ka ndodhur një evolucion pozitiv dhe sigurisht këto arritje tuaja do t’i raportoj në Bruksel./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani