Një shqiptare, e cila shkoi ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar u kap teksa po tentonte që të përdorte një mjet identifikimi fals në një qendër punësimi në Oxford. D.Rehova i tregoi stafit të departamentit të punës dhe pensioneve më 10 Gusht një mjet identifikimi italian, nën emrin Altea Hashi.

26-vjeçarja ndodhej në këtë qendër me qëllim që të aplikonte për një numër siguracioni kombëtar, por u zbulua pasi zyrtarët krijuan dyshime. Kështu, autoritetet zbuluan se Rehova po përdorte mjet identifikimi fals dhe u arrestua.

Para gjykatës, avokati mbrojtës i shqiptares, e cila mësohet se është me profesion mësuese, tha se ajo ndihej e penduar për gjithçka kishte ndodhur.

Avokati tha se deri përpara se të shkonte në qendrën e punësimit, 26-vjeçarja nuk kishte përfituar asnjë të mirë nga ky mjet identifikimi dhe se e kishte blerë në mënyrë që t’i shpëtonte dhunës në familje në Shqipëri. Rehova kishte shkuar në Britani gjatë verës së këtij viti, ilegalisht.

Ajo u dënua me 10 muaj burg. Gjatë dhënies së këtij dënimi gjykatësi britanik iu drejtua shqiptares me këto fjalë:

“Qëndrove në këtë vend tek një mik dhe e ndjeve veten barrë ndaj dhe vendose që t’i drejtoheshe departamentit të punës dhe pensioneve, në mënyrë që të merrje numër kombëtar sigurie. Sepse je një karakter i mirë, sepse ishe e motivuar kryesisht për t’u larguar në mënyrë që t’i shpëtojë një marrëdhënieje abuzive dhe sepse je tepër e keqardhur e kam ulur dënimin për ty. Zakonisht ky dënim do të kishte qenë më i ashpër”./tvklan.al