Hyrja e vitit 2019-ë do të sjellë një model taksimi të ri për pagat e larta.

Aktualisht personat që kanë një rrogë mbi 130 mijë lekë tatohen me 13 mijë lekë, plus  23% të diferencës të shumës mbi 130 mijë lekë. Tashmë çdo individ që ka një pagë deri në 150 mijë lekë, do të paguajë taksë më të ulët, 13% të shumës mbi 30 mijë lekë.

Por edhe pagat e ulëta do të rriten. Një vendim i qeverisë ka vendosur që të bëjë pagën minimale në rang vendi 26 mijë lekë nga 24 mijë që ishte vitin e shkuar.

Për bizneset 2019-a sjell një taksë më të ulët për dividentin, që është tatimi i pashpërndarë i aksionerëve. Nga 15% që paguhej kjo taksë prej 2015-s, këtë vit bizneset do të paguajnë 8%.

Për herë të parë qeveria ka vendosur që të përjashtojë nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, farat, fidanët, pesticidet dhe plehrat kimikë që përdoren në sektorin e bujqësisë, duke sjellë një kosto më të ulët për fermerët, një premtim ky që ka zënë vendin kryesor në programin e socialistëve gjatë fushatës elektorale.

Nga sot hyjnë në fuqi dhe një sërë ndryshimesh në taksa që parlamenti miratoi në Qershorin e 2018-s. Tatimi mbi fitimin për bizneset me xhiro nga 8 deri në 14 milionë lekë, bëhet 5% nga 15 që ishte. Po ashtu hiqet TVSH për pajisjet në burimet e energjisë së rinovueshme dhe shoqëritë e bashkimit bujqësor.  Ndërsa sektori i agroturizmit do të përjashtohet nga taksa e infrastrukturës dhe do të përfitojë zbritje të TVSH-së dhe tatimit mbi fitimin.

Përjashtim nga TVSH do të ketë edhe për lëndët e para të fabrikave të prodhimit farmaceutik, furnizimi i kontraktorëve dhe nënkontraktorët në industrinë fasone, ndërsa ky tatim bëhet 10% për importin e autobusëve elektrikë në transportin publik.

Por ky vit do të rrisë sërish akcizën për duhanin, duke shtrenjtuar vlerën e cigareve në treg, një nismë kjo për të ulur numrin e përdoruesve dhe po ashtu të rritet nga 6 në 9% renta minerare për eksportin e kromit dhe akciza për bitumin që përdoret në sektorin e ndërtimit.

Tv Klan