Policia e Tiranës ka pezulluar nga detyra punonjësin e Policisë Rrugore, i cili mbrëmjen e së martës u shfaq në një video të transmetuar në emisionin “Stop”, duke falur shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor në këmbim të parave.

Në një njoftim për mediat policia thotë se

“Në lidhje me videon e publikuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “STOP”, në TV Klan, ku shfaqet një punonjës i Policisë Rrugore, me pretendimin se duke shfrytëzuar atributet që i jep funksioni si punonjës policie favorizon drejtuesin e mjetit në këmbim të përfitimit financiar, duke mos e ndëshkuar për shkeljen përkatëse të Kodit Rrugor, ju bëjmë me dije se pas verifikimeve paraprake, u bë pezullimi nga detyra i punonjësit të policisë I.K., me detyrë trup shërbimi/agjent verifikues në Seksionin e Menaxhimit të Trafikut Urban pranë Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë“.

Gjithashtu, për rastin SHÇBA ka filluar veprimet proceduriale dhe hetimore, të cilat janë referuar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Në videon e transmetuar në “Stop”, tregohej sesi një qytetar futej me makinë në një parakalim të gabuar, duke shkelur madje edhe sinjalistikën për ndalimin e këmbësorëve, por pasi i dha para Policit Rrugor, ky i fundit vendosi që të mos e çojë para komisionit

./tvklan.al