Lorik Cana: E dija se nuk do arrihej, futbolli nuk është privat

Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana është shprehur se e dinte që Superliga Europiane do dështonte. Cana tha se futbolli nuk është privat.

Ideja për krijimin e Superligës Europiane ka ndarë në dy pole njerëzit e futbollit. Të shumtë janë ata që e shikojnë këtë iniciativë si një hap të mirë për futbollin cilësor, pasi do vinte përballë skuadrat më të mira të kontinentit. Megjithatë, disa të tjerë kanë qenë kundër këtij vendimi, sidomos UEFA dhe FIFA. Në këtë kah është dhe ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana. Në një takim me zyrtarë të lartë të Komitetit Olimpik të Kosovës, Cana tha se e dinte se tentativa për të krijuar Superligën Europiane do dështonte.

Unë nuk isha shumë i surprizuar nga dështimi i kësaj Superligës, projektit të Superligës Evropiane. Nuk e di as ishte thjesht një mjet për negociata të mëtutjeshme me UEFA-në, a ishte me të vërtetë një përpjekje për ta realizuar, por unë personalisht jam i kënaqur që në fund të fundit vlerat e sportit nëpërmjet kompeticionit mos të humbasin dhe ajo ishte për ta bërë futbollin privat, e futbolli nuk është privat, sporti nuk është privat.”

Superliga Europiane ishte iniciativë e 12 skuadrave më të mira të kontinentit, por me kërcënimet e UEFA-s, kjo ide u shty për një rimodelim të planit.

Klan News