Kuvendi i Kosovës hodhi poshtë rezolutën e paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që kishte për qëllim të ndalonte Presidentin Hashim Thaçi të diskutonte për rishikim të kufijve në dialogun me Serbinë. Rezoluta mori 11 vota më pak se shumica e nevojshme.

Dështimi erdhi pasi kreu i grupit parlamentar të LDK-së këmbënguli gjatë mbledhjes së kryetarëve të grupeve, që rezoluta të përmbante vetëm 1 pikë.

“Kuvendi i Kosovës rithekson se kushtetuta, sovraniteti dhe integriteti territorial janë të pacënueshme. As presidenti dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të negociojë”,

tha Avdullah Hoti.

Për kreun e grupit parlamentar të PDK-së ishte e parpanueshme që ata t’i jepnin votën një rezolute ku u hodhën poshtë 6 pikat e propozuara prej tyre.

“Instistimi qe të ketë vetëm një pikë rezoluta dhe mos merren parasysh propozimet e koalicionit, na e bëri të pamundur të dalim nga situata që ishte edhe dje, nga kushtëzimi që ose të votohet një pikë ose fare”

, u shpreh Memli Krasniqi.

Në pikat e propozuara nga PDK jepeshin udhëzime lidhur me ecurinë e dialogut në të ardhmen. Në përfundim të seancës, LDK-ja braktisi seancën që vazhdoi me pika të tjera të rendit të ditës.

Tv Klan